Nga Gjergj KOLA

Vetëm dy ditë pasi ka mësuar emrat e kundërshtareve të turit të dytë në “UEFA ëomen’s Champions League”, Vllaznia e femrave ka lëvizur në merkato dhe ditën e sotme ka mbyllur kontratat me shtatë futbolliste. Presidenti Lazer Matija ka qenë prej disa kohësh në kontakte me këto lojtare dhe menaxheret e tyre, por gjithçka ka lënë pezull derisa ka mësuar emrat e kundërshtarëve në short.

Për më tepër nisur edhe nga fakti që ndeshjet e grupit 4 do të luhen në Shkodër, e ka vënë në lëvizje presidentin Matija për ta “blinduar” skuadrën, me qëllimin e vetëm kalimin në turin e tretë të këtij kompeticioni të rëndësishëm europian.

Si rrjedhojë ai ka bërë të ditur edhe emrat e lojtareve që do të jenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Merkatoja ka nisur nga porta duke siguruar dy “gardiane” për katërkëndëshin kuqeblu. E pikërisht bëhet fjalë për 30 vjeçaren me përvojë nga Paraguaja Cristiana Cabanas dhe kanadezja Dior Manuella Wilson.

Përforcimet vijojnë me repartin e mbrojtjes ku si lojtare krahu janë zgjedhur të jenë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri futbollistja nga Kolumbia Carmen Quinones dhe ajo nga Panamaja, Mireilis Rojas Franco.

Në mesfushë është përzgjedhur kolumbiania tjetër Mayerlin Hernandez Meneses e cila është 24 vjeçe, ndërsa për repartin e sulmit drejtuesit e Vllaznisë kanë marrë si përforcim argjentinasen 25 vjeçare Valentina Bosio.

Me këto 6 lojtare skuadra padyshim që tashmë është më e plotë. Atyre u janë prerë biletat dhe shumë shpejt pritet të mbërrijnë në Shqipëri për të nisur stërvitjen me ekipin. Kujtojmë që ndeshjet e grupit 4 të turit të dytë të Champions League luhen në datat 27 dhe 30 gusht dhe koha është e mjaftueshme për t’u përgatitur si duhet për t’i kaluar me sukses ato.

Presidenti Matija ekskluzivisht për gazetën “Shkodra Sport” po ashtu ka bërë të ditur se në ditët në vijim mund të ketë edhe ndonjë përforcim tjetër cilësor, që do ta forconte dhe më shumë Vllazninë në prag të sfidave europiane.