Nga Endri ÇINARI
Dueli i rradhës në kampionat për Vllazninë do jetë kundër Elbasanit, me sfidën e vlefshme për javën e 6-të të Superiores. Dhe që do luhet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ditën e shtunë në orën 19:00. Një ndeshje që me të vërtetë pritet të jetë prova e vërtetë e kuqebluve deri në këto momente në kampionat, ku përballë do kenë kryesuesit e Superiores momentalisht me 11 pikë. E pikërisht të besuarit e Martinit në kuotën e 10 pikëve duan të kalojnë në renditje “tigrat”.
E për këtë vlen vetëm fitorja në shtëpi ndaj skuadrës së Gvozdenoviç, me këtë të fundit që i ka dhënë një “fytyrë” tjetër Elbasanit në këtë edicion. Dhe përballë nuk do jenë dy skuadrat që kanë bindur me shumë se kushdo në këto 5 javë të para, por edhe sulmi më i mirë i kampionatit përballë mbrojtjes më të mirë. Kështu kuqeblutë me 10 gola të shënuar pas 5 javësh janë ekipi që ka gjetur rrjetën më shumë, ku patjetër kryegolashënuesi ngelet Bekim Balaj me 4 gola në llogarinë personale.
Nga ana tjetër do jetë mbrojtja hermetike e Elbasanit, ku verdheblutë kanë pësuar vetëm 1 gol në 5 ndeshje deri më tani. Edhe ky gol i pësuar në barazimin 1-1 ndaj Egnatias, ku po ashtu kundërshtari i rradhës i Vllaznisë është edhe i vetmi ekip që nuk ka pësuar asnjë humbje deri më tani në kampionat. Duke treguar kështu nje stabilitet që pritej nga pak kush në fillim të këtij edicioni. Me Elbasanin që nuk “llogaritej” para ekipeve si Dinamo, Partizani apo Egnatia.
Megjithatë, verdheblutë e kanë thënë fjalën e tyre në fushën e lojës, e tashmë në Shkodër të shtunën udhëtojnë si kryesuesit e kampionatit. Ku Vllaznia do kërkojë të vijojë me rrugën e golave dhe fitoreve e ndërsa miqtë do kërkojnë të jenë sërish të pathyeshëm në prapavijë e të ndalojë edhe kuqeblutë.