Nga Maringlen ZHIVANI
Një futbollist që ka rënë në sy në këto ditë të para të stërvitjes që pas mbërritjes së tij te Vllaznia, ka qenë Artan Jazxhi. Mbrojtësi shtatlartë ka treguar një nivel të kënaqshëm dhe ka qenë një ndër ata futbollistë, të cilët ka bërë mirë në stërvitje me skuadrën. Forma e 23-vjeçarit ka kënaqur edhe trajnerin Martini, i cili duket se e shikon si një pikë të fortë Jazxhin në qendër të mbrojtjes.
Kjo, pasi vetë tekniku shkodran është nga ata trajnerë që preferon shumë mbrojtësit shtatlartë dhe duke qenë se Martini e njeh mirë Jazxhin, ka këmbëngulur që ai të vijë në Shkodër. Poashtu, duket se Jazxhi përshtatet mirë edhe në skemën me tre mbrojtës në prapavijë që Martini pritet të aplikojë.
Në skuadër është afruar edhe Kuoros, i cili së bashku me Jazxhin, mund të konsiderohen titullarë në mbrojtjen e Vllaznisë. Jazxhi është afruar këtë periudhë në rradhët e kuqebluve në formë huazimi nga Teuta për ndeshjet e turit të parë të Conference League. Më parë, Jazxhi ka qëndruar për pesë sezone në Durrës tek Apolonia.
Tashmë, me ardhjen e tij tek nëntë herë kampionët e vendit, ai pritet të shndërrohet në një titullar dhe një pikë e fortë në formacionin e shkodranëve, të paktën përkohësisht në ndeshjet e turit të parë të Conference League, teksa në rast kalimi në turin tjetër, do të tentohet edhe blerja e kartonit të Jazxhit nga ana e Vllaznisë.(www.shkodrasport.com)