Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia vijon me seriozitet përgatitjet, me synimin e qartë për të ndërtuar një skuadër të përgatitur në çdo aspekt për sfidat europiane që e presin. Një nga objektivat kryesore të kësaj periudhe intensive është arritja e formës optimale fizike për të gjithë futbollistët, në mënyrë që ekipi të jetë në gjendje të përballojë ritmin dhe intensitetin që kërkon niveli ndërkombëtar.
Stafi teknik me në krye trajnerin Edi Martini, në bashkëpunim me përgatitësin atletik Fatjon Kadija, ka hartuar një program të detajuar dhe të personalizuar për secilin futbollist, duke pasur parasysh ngarkesën, gjendjen aktuale dhe fazën e rikuperimit për ata që kanë pasur shqetësime fizike.
Fokusi është i madh si në aspektin aerobik, ashtu edhe në fuqinë shpërthyese dhe qëndrueshmërinë, teksa të gjitha seancat stërvitore janë konceptuar për të simuluar situate ndeshjeje. Në këtë fazë të rëndësishme të verës, detyra kryesore e stafit teknik është “kristalizimi” i formacionit titullar që do të zbresë në fushë në përballjen e parë të Kupave të Europës.
Trajneri Martini po shfrytëzon maksimalisht çdo seancë stërvitore dhe ndeshje testuese për të analizuar gjendjen e futbollistëve, përshtatshmërinë taktike dhe harmoninë mes reparteve. Në këtë drejtim, konkurrenca për një vend në formacion është e fortë, teksa secili futbollist po kërkon të bindë stafin teknik me paraqitjet e tij. Përballja me Daugavpils kërkon një ekip të organizuar, me identitet të qartë loje dhe balancë në të gjitha repartet.
Prandaj, “kristalizimi” i 11-shes startuese konsiderohet si hapi vendimtar për të rritur skuadrën. Edhe pse, merkatoja është ende active dhe mund të sjellë prurje të tjera, baza e ekipit është tashmë në dispozicion dhe synimi është që në ditët në vijim të krijohet një bosht stabël, mbi të cilin do të ndërtohet strategjia për ndeshjen e parë europiane.(www.shkodrasport.com)