Shkodra dhe Vllaznia janë shquar gjatë gjithë historisë së tyre për nxjerrjen e lojtarëve shkodranë. Për ta nuk kanë munguar shprehje të ndryshme si “qyteti që pjell futbollistë”, “hambar për gjithë Shqipërinë” etj. Por në fakt gjithë këto vitet e fundit nuk ka ndodhur kështu. Mjafton t’I hedhësh një sy ekipeve të krijuara dhe do të konstatosh një fakt shumë të dhimbshëm për një skuadër si Vllaznia. Në 10 kampionatet e fundit, ajo ka marrë në rradhët e saj plot 104 futbollistë “jabanxhin”! Një shifër shumë e madhe kur ke parasysh se kjo skuadër dhe ky qytet, kanë nxjerrë dhe vazhdojnë të nxjerrin lojtarë nga ekipet zinxhir. Që do të thotë se në çdo sezon, ka një mesatare prej diçka më tepër se 10 futbollistësh joshkodranë në skuadër. natyrisht shumë. Nga kjo shifër, 66 është numri I futbollistëve të huaj që kanë ardhur në Shkodër dhe kanë veshur fanellën e Vllaznisë megjithatë pa lënë ndonjë gjurmë të madhe. 38 futbollistë të tjerë janë nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Por nuk kanë munguar edhe trajnerët joshkodranë, teksa në këta 10 vitet e fundit, atë e kanë drejtuar edhe 14 trajnerë “jabanxhin” nga të cilat ka patur disa që e kanë drejtuar disa herë si malazezi Dervish Haxhiosmanoviç (në 4 sezone në periudha të ndryshme), Mirel Josa (në 4 sezone) si dhe të tjerët, Vasil Bici, gjermani Ulrih Shulze, Agim Canaj, Hasan Lika, malazezi Mojash Radonjiç dhe I fundit Shpëtim Duro. Nga to, pavarësisht nivelit të tyre si teknikë, më I suksesshmi ka rezultuar malazezi Haxhiosmanoviç që ka fituar të vetmen trofe të Vllazninë në këto 10 vite, Kupën e Shqipërisë në sezonin 2007-08.
Sezoni me më shumë “jabanxhinj”: Nuk është një por janë dy, ai 2005-06 (10 të huaj dhe 6 joshkodranë) dhe 2009-10 (9 të huaj dhe 7 joshkodranë). Për koinçidencë, Vllaznia në këto dy sezone përveçse ka patur numër të njëjtë futbollistësh joshkodranë, plot 16, është renditur edhe në të njëjtin pozicion në tabelën e renditjes, në vendin e 6-të. Në kushte të tilla, të blesh plot 16 futbollistë Brenda një sezoni, futbollistë këto që kushtojnë shumë, t’u paguash edhe shtëpitë dhe restorantin dhe në fund të renditesh në mesin e tabelës, për shkodranët është e pakuptimtë. Kjo sepse në Shkodër ka një shprehje të bukur e cila ekziston prej vitesh e cila thotë: “Vllaznia edhe pa trajner fare renditet në vendin e pestë apo të gjashtë”.  Prandaj dhe ky është një diskutim që bëhet prej vitesh në këtë qytet dhe sërish nuk gjen vendin. Skuadra nuk ka nevojë për blerje të rëndomta sepse të marrësh 16 futbollistë nga ekipet e tjera të Shqipërisë dhe jashtë saj, sigurisht që është një shifër e ekzagjeruar. Për më tepër që nuk është arritur asnjë sukses me to sepse këto që kanë ardhur nuk kanë bërë diferencën me shkodranët, përkundrazi shumë prej tyre kanë qenë më të rëndomtë për nga niveli që kanë shfaqur në fushë.
Sezoni me më pak “jabanxhinj”: Janë dy, ai 2003-04 dhe ai 2007-08. Interesant është fakti se në të parin, atë 2003-04, në skuadër ka patur vetëm 1 futbollist të huaj, pikërisht Bokatola si dhe dy futbollistë të tjerë jo nga Shkodra, Kapaj dhe Karapaci. Në sezonin 2007-08 ndërkohë ka patur 5 futbollistë të huaj dhe 2 jo shkodranë megjithatë Vllaznia atë sezon arriti të fitonte të vetmen trofe në këto 10 vitet e fundit, Kupën e Shqipërisë. Kjo tregon se në Shkodër të huajt nuk kanë sjellë kurrë ndonjë progres të madh sepse kemi të bëjmë me një qytet që futbollin e konsideron si fe dhe si e tillë ajo pëlqehet dhe praktikohet shumë. Njerëzit e këtij qyteti janë “xhelozë”, ata nuk mund të pranojnë futbollistë të huaj apo nga rrethet e tjera të vendit të cilët nuk kanë ndonjë nivel të lartë futbolli në krahasim me vendasit. Duke ndodhur kështu, sigurisht që edhe gjërat nuk kanë shkuar mirë tek Vllaznia sepse gjithmonë ka patur përplasje të brendshme, pavarësisht se ato kanë qenë apo jo të dukshme por gjithsesi kanë dhënë efektin e vet.
E ardhmja. E njëjta histori do ndodhë edhe në këtë merkato që po vjen. Vllaznia është thuajse e boshatisur nga lojtarët cilësorë sepse askush nuk ka menduar për “brumin” e saj. 12 lojtarët e sjellë nga Shpëtim Duro një sezon më parë, thuajse do largohen të gjithë. Në vend të tyre do vijnë ndoshta 12 të tjerë. Shumë prej tyre thuhet se do jenë malazezë, të tjerë nga rrethet e tjera të Shqipërisë. Dhe me shumë siguri, sërish kjo Vllazni nuk do jetë kampione. Për këtë arsye, çështja e ditës tek shumë specialist shkodranë është ndërtimi I një skuadre me futbollistë të rinj të këtij qyteti. Kthimi edhe I disa shkodranëvë që luajnë në ekipet e tjera dhe blerja e vetëm 3-4 futbollistëve të huaj, por këto të jenë shumë më cilësore se futbollistët aktualë. Kjo konsiderohet rrugëdalja për një Vllazni të së ardhmes që Brenda 2-3 vitesh do bëhej pretendentja numër 1 për titullin kampion.
Gjergj KOLA