Nga Endri Çinari

Një ndër akademitë private që ka “korrur” suksese në vitet e fundit në Shkodër është edhe ajo e Bashkimit. E drejtuar nga krye trajneri, Ervin Alushi, KF Bashkimi ka ditur të evidentojë futbollistë shumë cilësorë. Të cilët më pas janë afruar edhe nga akademia kryesore e futbollistëve në vend, ajo e Vllaznisë.

I fundit në rradhë që i është bashkuar kuqebluve është Enis Repaj. Djaloshi i lindur në vitin 2012, vetëm 13 vjeç tashmë do jetë pjesë e akademisë Vllaznia. Dhe një fakt i tillë është bërë i ditur edhe nga postimet në rrjetet sociale të akademisë së kuqebluve. Një tjetër element cilësor që i bashkohet nga skuadrat private skuadrës më të madhe të qytetit.

Ku pavarësisht “rivalitetit” në fushën e lojës, bashkëpunimi i frytshëm vijon mes KF Bashkimit dhe Vllaznisë. Për t’u rikthyer tek Repaj, ai është një lojtar i cili që në moshën 8-vjeçare ka qenë pjesë e skuadrës së Bashkimit. Ku është dalluar në rolin e qendër mbrojtësit, kjo edhe për shkak të fizikut të tij shtatlartë që bën diferencën me bashkëmoshatarët e tij. Nga ekspertët ai është vlerësuar si një lojtar me shumë të ardhme në këtë pozicon.

Dhe tek Vllaznia nuk kanë humbur kohë, duke e afruar në skuadër Repajn, i cili në sezonin e ri do jetë pjesë e Vllaznia U-14.Ky patjetër është një hap cilësor për karrierën e futbollistit të ri, por edhe një ndjenjë krenarie edhe për drejtuesit e KF Bashkimit. Të cilët shohin elementët e tyre më të spikatur të ngjisin shkallët drejt futbollit të rëndësishëm një e nga një. E patjetër që motivon akoma më tepër edhe futbollistët, por edhe trajnerët që të vijojnë me punën e mirë të bërë në vitet e fundit.