Vllaznia në volejboll për femra ia del të marrë fitoren e parë në kampionat. Në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të kampionatit, ajo ka fituar ndaj ekipit të Korabit me rezultatin 3-0. Ajo është luajtur pasditen e sotme në sallën sportive të Farkës dhe është dominuar nga vajzat kuqeblu.
Seti i parë është mbyllur me rezultatin 25-18 në favor të Vllaznisë. Në të dytin ka më shumë rivalitet, megjithatë vajzat shkodrane sërish arritën t’ia dalin të kontrollojnë gjithçka dhe ta fitojnë atë në shifrat 25-21.
Në të tretin ndërkohë nuk ka shumë histori. Vllaznia do ta fitonte 25-14 dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi do të mbyllej me fitoren 3-0 në favor të saj. Në këtë mënyrë kjo fitore ishte një lloj frymëmarje për ekipin shkodran sepse dihen problemet e tij dhe padyshim suksesi i sotëm do të thotë shumë për vazhdimësinë.
Trajneri Dorian Tafa po mundohet të bëjë më të mirën me kontigjentin e lojtareve që ka në dispozicion, por edhe ndonjë tjetër që ka ardhur si përforcim, megjithatë ky ekip nuk mund të pretendojë shumë gjëra këtë sezon.(www.shkodrasport.com)