Nga Dash Frasheri

Të gjithë e konsiderojnë Zef Kovaçin si një artist të fjalës, një njeri me humor të pashtershëm në jetë dhe një xhentëlmen të vërtetë me miqtë. Por, për komunitetin e shtangës dhe atë sportiv ai është trajneri që numëron 51 medalje ari në aktivitetet ndërkombëtare, 65 rekorde kombëtare për të rritur dhe 124 rekorde kombëtare për të rinj.

Shifra këto të “çmendura”, të realizuar për një periudhë 31-vjeçare, nga viti 1983, kur 63-vjeçari Zef Kovaçi u bë trajner i peshëngritjes të të rinjve pranë Klubit Sportiv Dinamo. Televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” e nderuan trajnerin karizmatik të kampionit të Europës, Erkand Qerimaj, me çmimin prestigjioz “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”, çmim ky i dorëzuar nga një tjetër ikonë e peshëngritjes, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Gudar Beqiraj.

Kovaçi vlerësohet si një nga njohësit më të mirë të peshëngritjes, boll të mendosh se ai është ish-trajneri i Pirro Dhimës, i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Europës” nga Federata Europiane në vitin 1990, ndërsa nga viti 2008 ai është trajneri i Erkand Qerimajt (në foto), peshëngritësit që ka fituar më shumë medalje në peshëngritjen shqiptare.

“Trajneri im është Zef Kovaçi. U shpalla Kampion i Europës. Nuk jam stërvitur me trajner tjetër të huaj. Kampion i Europës, stërvitje në Shqipëri”, – shkruante Erkand Qerimaj në “Facebook”, menjëherë pas fitimit të titullit kampion në Tel Aviv të Izraelit në prill të vitit 2014.

Pirro Dhima, Mirjan Hakani, Bashkim Gërblleshi, Françesk Dema, Adem Toska, Agron Haxhiyseni, Fatmir Bushi, Erlin Nikolla, Luan Shabani, Ded Dakaj, Sokol Bishanaku, Kreshnik Leka, vëllezërit Lundraxhiu, Renato Sykja, Artan Suli, Erion Suli, Erkand Qerimaj janë disa nga peshëngritësit e njohur me të cilët ka punuar “mjeshtri i shtangës”.

TRAJNER I TROFEVE

Zef Kovaçi u lind në Tiranë, më 19 qershor të vitit 1951. Diplomohet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në vitin 1974, për të shërbyer për një periudhë 9-vjeçare si mësues në shkollat e rrethit të Lezhës deri në vitin 1983. Rikthimi në kryeqytet i krijon mundësinë që përveçse të japë mësim në Shkollën Teknologjike, të jetë edhe trajneri i ekipit të peshëngritjes për të rinj të Dinamos.

Pas tre vjetësh, në 1986, Kovaçi emërohet trajner profesionist i peshëngritjes pranë klubit sportiv “17 Nëntori”, ku punon deri në vitin 1991, përpara se të merrte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (1991-1992).

Deri në vitin 1991, Kovaçi fiton 4 kampionate kombëtare, 4 Kupa të Shqipërisë dhe Spartakiatën e fundit kombëtare (1989) me “17 Nëntorin”. Sportistët e asaj kohe janë disa nga emrat më të shquar të shtangës sonë: Piro Dhima, Mirjan Hakani, Bashkim Gërblleshi, Francesk Dema, Adem Toska, etj.

TRAJNER I KOMBËTARES

Zef Kovaçi krijoi shumë shpejt profilin e një trajneri medaljesh e rekordesh, duke qenë në vitet 1989-1991 trajner i ekipit kombëtar. Së bashku edhe me trajnerët Niko Boneci e Ferid Berberi, ekipi kombëtar shqiptar nis të shkruajë historinë e tij ndërkombëtare: vendi i tretë në Europë dhe vendi i tetë në Botë. Sportistët e asaj kohe jamë Piro Dhima, Mirjan Hakani, Bashkim Gërblleshi, Francesk Dema, Adem Toska Agron Haxhihyseni, Fatmir Bushi, Erlin Nikolla, Luan Shabani, Ded Dakaj, etj.

Në Kupën Europiane të Kombeve, të zhvilluar në Antalia të Turqisë në dhjetor të vitit 2010, Pirro Dhima, Luan Shabani dhe Fatmir Bushi me rezultatet e tyre i garantuan ekipit tonë vendin e dytë në Europë, pas Bullgarisë. Dhe aty patjetër ishte dora e Zef Kovaçit.

Më pas, Pirro Dhimën dhe Luan Shabanin do të shihnim kampionë olimpikë dhe kampionë bote, por me ngjyrat e Greqisë. Pirro Dhima doli 3 herë Kampion Olimpik, 3 herë Kampion Bote, 1 herë Kampion Europe, ndërsa Luan Shabani doli 1 herë Kampion Bote dhe 2 herë Nënkampion Olimpik.

Pirro Dhima nuk e ka fshehur kurrë faktin që, ai është bërë peshëngritës i nivelit të lartë botëror falë trajnerit të tij, Zef Kovaçit, madje këtë e ka deklaruar gjithmonë në median ndërkombëtare se ai është trajneri dhe miku im.

Të njëjën gjë bën edhe Erkand Qerimaj, mbajtësi i rekordit botëror për të rinj (310 kg), i arritur në Trencin të Kinës, më 5 tetor 2005 e që gjendet në “Librin e rekordeve” të Federatës Botërore të Peshëngritjes.

TRAJNER NË ITALI

Zef Kovaçi, përveç shtetësisë shqiptare dhe atë italiane. Pas dorëheqjes si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ai shkon në Itali. Drejtoi ekipin Palombara Sabinës dhe mori titullin më të lartë që merr një trajner në Itali. Me ekipin italian ai doli në vënd të dytë dhe të tretë në Itali, ndërkohë që pati edhe sukses me femrat: një prej vajzave të përgatitura prej tij doli nënkampione e Europës.

Rikthimi në Shqipëri i jep mundësinë që të në vitet 1998-2001 të jetë trajner me Dinamon: kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë me sportistë të tillë si Sokol Bishanaku, Kreshnik Leka, vëllezërit Lundraxhiu etj. Gjatë asaj kohe, Kovaçi drejton edhe ekipin Kombëtar, duke pasur sportistë: Renato Sykjan, Artan Sulin, Erion Sulin, etj. Nga viti 2008, Kovaçin e shohim trajner të një prej legjendave të shtangës sonë, Erkand Qerimajt të Vllaznisë, por edhe i ekipit Kombëtar.

BILANC REKORDESH

Bilanci i trajnerit Zef Kovaçi është i jashtëzakonshëm, numrat flasin vetë: 124 rekorde kombëtare për të rinj (1983-2014); 65 rekorde kombëtare për të rritur; 51 medalje ari në aktivitete ndërkombëtare dhe me dhjetra argjendi e bronzi.

Në vitin 1989, ekipi kombëtar zuri vendin e katërt në Kampionatin Europian të Athinës në Greqi; në vitin 1990 vendi i tretë ekipor në Kampionatin Europian të Aalborgut në Danimarkë; dhe po në vitin 1990, vendi i dytë në Kupën e Europës në Antalia të Turqisë. Në vitin 2001, zuri vendin e tetë në Kampionatin Europian në Sllovaki.

Gjatë më shumë se 31 viteve si trajner i peshëngritjes ka fituar disa kampionate, Kupa të Shqipërisë, shumë medalje e diploma nga Kuvendi si dhe “Medaljen e Artë” nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.