Frosinone është një një klub në Itali i cili njihet për Akademinë e tij të cilën e ka ndër më të mirat në vend. Kjo falë punës shumë të mirë që zhvillon me Sektorin e të rinjve, por edhe elementit cilësor që grumbullon në rradhët e tij. Së fundi, pjesë e saj është bërë edhe një tjetër futbollist shkodran.
Bëhet fjalë për Samuel Binoshajn. Ai ka firmosur një kontratë njëvjeçare fillimisht me Frosinonen, me opsionin për ta shtyrë edhe për dy vite të tjera, me klauzolë për të bërë edhe debutimin me ekipin e parë. Po kush është ky futbollist?
Ka lindur në Itali më 25 qershor 2008 dhe e ka nisur futbollin që në moshën 6 vjeçare, duke kaluar nëpër ekipe të ndryshme fillimisht ku menjëherë fillon të shfaqë aftësitë e tij dhe si rrjedhojë kërkesat për ta patur në rradhët e Akademive më të mira sa vinin e rriteshin, raporton shkodrasport.com
Para dy sezonesh nisi ngjitja e karrierës së tij duke kaluar në Akademi të mira të futbollit në Itali. Fillimisht do të bëhej pjesë e ekipit Monterosi dhe vetëm pas 6 muajsh me të, falë edhe paraqitjeve të mira të bëra, u transferua tek “Campus Eur”. Pikërisht duke luajtur me këtë spikati duke fituar vëmendjen e skautëve të klubit të Frosinones, i cili siç duhet, ka një Akademitë më të mira në Itali.
Rrjedhimisht, drejtuesit e kësaj të fundit kanë ngulur këmbë për ta bërë pjesë të tyre dhe akordi është arritur teksa para dy ditësh, ai ka firmosur me Frosinonen. Lojtari me origjinë nga Shkodra në këtë mënyrë do të nisë një eksperiencë të re, ku padyshim që shpreson të bëjë mirë.
Pozicioni i tij në fushë është ai i qendërsulmuesit. Ka karakteristika shumë të mira si nga ana fizike, është i gjatë 1.86 metra, ashtu edhe në aspektin teknik dhe lojën me top.
Samuel Binoshaj ka qenë pjesmarrës në një stage që Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar para rreth një viti në Milano, ku ka shkuar mirë mirë, madje edhe duke shënuar në ndeshjet e kontrollit që ka luajtur. Konsiderohet një lojtar me shumë të ardhme dhe pse jo, brenda pak vitesh të jetë e ardhmja e kombëtares shqiptare në repartin ofensiv.
Megjithatë për momentin është herët të flasim. Binoshaj duhet të vazhdojë të punojë fort dhe të ecë përpara. Ai ka edhe fatin që i ati- Edmiri, është i fushës së futbollit pasi drejton një kompani menaxhimi futbollistësh dhe kjo do ta ndihmojë shumë që rrugët e karrierës t’i ketë të hapura. Gjithçka është padyshim në dorën e tij.
Sezoni i ri do ta gjejë atë tek Frosinone U17 ku do të ketë mundësinë të tregojë të gjithë arsenalin e vlerave të tij, përballë bashkëmoshatarëve të tij të ekipeve më të mira të Italisë, çka tregon se Samuelit i është hapur një dritë jeshile për të ardhmen e karrierës së tij dhe ai duhet ta shfrytëzojë këtë gjë.
Gjergj KOLA