Stadiumi “Loro Boriçi” solli situatë të paprecedentë. Në fund, rezulton se koncert nuk do të mbahet në stadium, por as Vllaznia nuk e zhvilluan ndeshjen aty.

Kuqeblutë deklaruan sot se për shkak të afateve dhe protokolleve ndërkombëtare, klubi ka dorëzuar dje dokumentacionin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes europiane në “Elbasan Arena”. Pra, kjo do të thotë që tashmë ndeshja do të luhet në Elbasan dhe nuk mund të ndryshohet përsëri destinacioni i saj, pasi janë dorëzuar dokumentacionet zyrtare në UEFA që ditën e djeshme.

NJOFTIM ZYRTAR NGA KF VLLAZNIA


KF Vllaznia falenderon Federatën Shqiptare të Futbollit për sqarimin e fundit zyrtar drejtuar Bashkisë Shkodër, ku kërkohet qartësisht anullimi i koncertit të planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi”, për të garantuar standardet dhe organizimin korrekt të ndeshjeve ndërkombëtare.

Njëkohësisht, çështja është adresuar edhe në selinë e UEFA-s në Nyon, ku përfaqësues të klubit kanë ngritur shqetësimin mbi situatën. Zyrtarë të UEFA-s kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kundër zhvillimit të aktiviteteve të tilla përpara ndeshjeve europiane, për shkak të rrezikut që i kanoset fushës dhe kushteve teknike te komplet impjantit sportiv.

Përshëndesim vendimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, për të anulluar koncertin dhe ritheksojmë se kjo çështje nuk ka qenë kurrë personale apo politike, por thjesht dhe vetëm profesionale – në përputhje me rregullat e UEFA-s, FSHF-së dhe interesin e klubit si përdoruesi zyrtar i stadiumit dhe organizues i ndeshjeve.

Duke marrë parasysh afatet dhe protokollet ndërkombëtare, KF Vllaznia ka dorëzuar dje dokumentacionin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes europiane në “Elbasan Arena”.

Ftojmë të gjithë tifozët kuqeblu që, si gjithmonë, të jenë pranë skuadrës edhe në Elbasan, me të njëjtin pasion dhe mbështetje të zjarrtë. Së bashku për Vllazninë, në këtë rrugëtim europian!

Le te kalojmë bashkë këtë tur dhe të rikthehemi në shtëpinë tonë për ndeshjet e ardhshme nderkombëtare dhe kombëtare, siç i ka hije Vllaznisë!