Kishte dilema nëse do të vazhdonte apo jo bashkëpunimi dhe madje u bë fakt i kryer deri diku mosvazhdimi i kontratës për shkak të kostos financiare, por në fund akordi është arritur. Futbolli shqiptar edhe për sezonin 2025-2026 do të jetë në ekranin e RTSH.

Drejtuesit e këtij të fundit kanë vendosur të jenë sërish pranë kampionateve tona duke patur të drejtën ekskluzive të transmetimit të ndeshjeve të tyre. Kjo është zyrtarizuar përmes një spoti të publikuar në rrjetet sociale të RTSH ku thuhet:

“Ata rikthehen… Me golat, emocionet, spektaklin – në një betejë të re dhe një Final 4 edhe më rivalizues. Futbolli shqiptar dhe protagonistët e tij hapin një sezon të ri pasioni dhe rivaliteti të ndezur.

Bëhuni gati për spektaklin! Lufta sportive, çdo ndeshje, çdo gol, çdo dramë – në fushë dhe jashtë saj – drejtpërdrejt në ekranin e gjithë shqiptarëve.

Ju sjellim më të mirën. Abissnet Superiore – Kategoria e Parë – Kupa e Shqipërisë – Futbolli i vajzave. Sezoni i ri nis këtu!

RTSH – Shtëpia e futbollit tonë!”