Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do e nisë aktivitetin e saj këtë javë që ditën e mërkurë. Shkodranët do presin në “Loro Boriçi” ekipin e Besës, me duelin që luhet në kuadër të turit të 1/8 të kupës së Shqipërisë. Pavarësisht se kavajasit ndodhen në Kategorinë e Parë, kjo nuk sjell aspak nënvlerësim në rradhët e kuqebluve. Që në një ndeshje teke që do luhet ndaj verdhezinjëve duan të shmangin ndonjë surprizë të pakëndëshme.
Prandaj edhe në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit kjo sfidë po trajtohet në mënyrën më serioze të mundshme. Por edhe nga vetë statistikat, Vllaznia ka 14 vite që nuk fiton një takim zyrtar ndaj kavajsve. Kjo edhe për shkak të rënies së verdhezinjëve në kategoritë inferiore të futbollit tonë prej më shumë se një dekade.
Konkretisht fitorja e Vllaznisë ndaj Besës ka ardhur në datën 06.02.2011, me rezultatin 2-0. Duel që luhej për javën e 23-të të sezonit 2010-11. Në atë duel me golat e tyre për kuqeblutë do ishin vendimtarë Shtubina në minutën e 2-të dhe Sukaj në të 31-tën. Me gjithçka që do vendosej në fraksionin e parë të lojës mes dy skuadrave.
Por, nga ajo ndeshje janë luajtur më pas edhe 5 duele të tjera. Me 3 sfida që janë mbyllur në barazim dhe 2 fitore për Besën. Dueli i fundit i luajtur mes dy skuadrave është në datën 04.05.2014 dhe është mbyllur në shifrat e bardha 0-0. Pra, një periudhë prej 14 vitesh që Vllaznia nuk fiton me Besën, tabu që do kërkojë tq thyejë ditën e mërkurë në orën 17:00./www.shkodrasport.com/