Kapiteni i Danimarkës, “gentleman” i vitit 2021, shtyllë e shumë mbrojtjeve në Europë dhe një nga protagonistët e titullit të fundit të Milanit, ka vendosur ta mbyllë karrierën e tij futbollistike. Simon Kjaer, 36 vjeç, ka njoftuar se do të tërhiqet nga futbolli aktiv.

Ai ka shpjeguar se ky është momenti i duhur për ta mbyllur këtë kapitull të jetës dhe ka reflektuar mbi karrierën e tij, duke përfshirë eksperiencën te Milani, që në fakt përbën fazën përfundimtare të një karriere me 532 ndeshje profesionale.

Pasi u largua nga Milani në fund të sezonit të kaluar, Kjaer kaloi muaj pa kontratë, duke pritur një telefonatë për ta vazhduar karrierën. Megjithatë, ai ka pranuar se nuk ishte i interesuar për të kërkuar mundësi të tjera. “Në kokën time doja ta mbyllja karrierën te Milani, – tha ai. – E dija mirë se nga aty, në mendjen time, nuk doja të kërkoja diçka tjetër.

Nuk mund të kisha një fund më të mirë”. Kjo dëshirë e tij u realizua me tributin e tifozëve kuqezinj në barazimin 3-3 kundër Salernitanës, më 25 maj, duke e mbyllur karrierën e tij me një lamtumirë të paharrueshme. “Ceremonia e mbylljes që pata në ‘San Siro’ dhe ajo eksperiencë… E dija mirë se aty ishte fundi im”.

Pas kësaj, ai luajti vetëm një miqësore dhe qëndroi në stol gjatë “Euro 2024” me Danimarkën. Pas të gjithave, fanella e Milanit ka mbetur e fundit që ka veshur në karrierën e tij./telesport/