Nga Endri ÇINARI
Afrimet e fundit të Lirim Kastratit dhe Sherif Kallakut kanë shtuar shumë cilësinë dhe fantazinë në skuadrën kuqeblu. Me 9 herë kampionët e vendit tonë që sërish këtë sezon tregojnë se do luftojnë për objektiva madhorë. Ku si synim dhe “fiksim” ngelet gjithmonë titulli kampion, që mungon prej vitit 2001 në Shkodër. Kështu me afrimin e dy futbollistëve të lart përmendur, skuadra e Martinit pritet të jetë e “frikshme” me formacionin që do prezantojë në sezonin e ri.
Duke nisur nga porta ku pavarësisht afrimit të gjermanit, Phols, për katërkëndorin ka një “rivalitet”. Me Jukajn që momentalisht duket se preferohet më shumë se ish-gardiani i Shamrokut. Në mbrojtjen me 3 që preferon Martinit, tashmë duket se janë “përcaktuar” ata që priten ta udhëheqin këtë repart. Treshja Bajrami-Gjini-Kuros duket shumë solide dhe që garanton në sytë e stafit teknik. Pavarësisht se në momente të ndryshme të sezonit apo ndeshjeve mund të ketë ndryshime.
Nga krahët aktualisht më të preferuarit janë Gurishta në të djathtë dhe Jago në të majtë. Me emra si Kruja apo Hakaj që po ashtu mund të luftojnë për një fanellë titullari në këto pozicione. Mesfusha duket momentalisht “qershia mbi tortë” e skuadrës kuqeblu. Emrat që pritet të prezantohen në këtë repart janë ata të Krymit, Males dhe Kallakut. Tre nga futbollistët më të spikatur të viteve të fundit në Superiore dhe që me të vërtetë mund të bëjnë diferencën në çdo moment të lojës.
Ku afrimi i fushëkrujasit kërkohej me ngulm nga Martini për të formuar një ekip siç e do ai. Edhe në sulm për Vllazninë ka “luks”, ku përveç kapitenit , Bekim Balaj tashmë në repartin e avancuar do jetë edhe Lirim Kastrati. Me dy futbollistë plot eksperiencë dhe cilësi që do jenë me të vërtetë një “dhimbje koke” për mbrojtjet kundërshtare. Tashmë duhet pritur vetëm nisja e kampionatit për të shikuar Vllazninë reale në fushën e lojës, pasi miqësoret që po zhvillojnë aktualisht shkodranët janë totalisht eksperimentale dhe duke i dhënë shansin futbollistëve të stolit dhe atyre të Vllaznia B.
Formacioni
Jukaj
Bajrami-Gjini-Kuros
Gurishta-Mala-Krymi-Kallaku-Jago
Kastrati-Balaj