Punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të Vorës po vijojnë me ritme tepër të ngadalta, duke rrezikuar seriozisht afatin e parashikuar për përfundim. Firma kontraktuese, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e tribunës qendrore, nuk ka arritur të respektojë kalendarin e punimeve, duke e zvarritur ndjeshëm procesin.
Sipas projektit, tribuna qendrore duhej të ishte gati për inaugurim më 1 shtator. Megjithatë, nga pamjet aktuale të kantierit, është e qartë se jo vetëm që stadiumi nuk do të jetë i gatshëm brenda këtij afati, por ka gjasa që punimet të zgjasin edhe përtej muajit shtator.
Ky ngadalësim ka shtuar ankthin brenda klubit të Vorës, i cili shpresonte të debutonte në Superiore duke luajtur ndeshjet “në shtëpi”. Edhe tifozëria vorake është e zhgënjyer, pasi mezi pret të shohë skuadrën e zemrës në elitën e futbollit shqiptar, në fushën e tyre.
Për të shmangur problemet me zhvillimin e ndeshjeve sipas kalendarit, drejtuesit e Vorës po shqyrtojnë alternativa të tjera. Opsioni më i mundshëm është përdorimi i stadiumit të Laçit, për të cilin janë hapur bisedimet me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe klubin kurbinas.
Nëse situata nuk ndryshon në javët e ardhshme, duket se Vora do të detyrohet të presë edhe më gjatë momentin historik të luajtjes së ndeshjeve të para të Superiores në stadiumin e vet.(panorama-sport)