Tërbuni i Pukës ka nisur punën për sezonin e ri 2025-2026, me objektivin e qartë për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë. Skuadra pukjane është zhvendosur në kompleksin “Football Republic” në kryeqytet, ku po zhvillon fazën seleksionuese.
Pas ditës së parë stërvitore, për Panorama Sport u shprehën trajneri i ri, Anxhelo Suta, dhe drejtori sportiv, Alfred Pjetri. Trajneri Suta deklaroi: “Falënderoj drejtuesit për besimin, në radhë të parë kryebashkiakun Rrok Dodaj dhe në veçanti drejtorin Alfred Pjetri.
Besoj se të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën që Tërbuni të rikthehet në Kategorinë e Parë. Është vetëm fillimi i fazës përgatitore për sezonin e ri, ku dy javët e para do të shërbejnë si fazë seleksionuese për të formatuar skuadrën.
Besoj se shtatori do të na gjejë të plotë si grup, duke u bazuar te përforcimet që do të vijnë dita-ditës. Përforcimet i presim nga të gjitha nivelet e kategorive në vend, si dhe nga tregu i jashtëm, lojtarë që duhet të bëjnë diferencën.”