Armando Broja ishte një nga mungesat e madha të Bërnlit për ndeshjen e parë të kampionatit përballë Totehemit. Një ndeshje ku londinezët fituan 3-0 dhe forca ofensive e Bërnlit la shumë për të dëshiruar, teksa në media kishte interes të mësohej se pse nuk ishte ftuar për këtë sfidë Broja, një nga afrimet e mëdha të verës.
Trajneri Skot Parker, pas përfundimit të sfidës shpjegoi se me Brojën do të veprohej me shumë kujdes, në mënyrë që të mos kishte situata si të viteve të kaluara ku ishin përsëritur dëmtimet për shkak të mungesës së përgatitjes së duhur fizike.
“I duhet pak më shumë punë. Nuk ka bërë shumë përgatitje që të mund të luajë në Premier Ligë, ndaj na duhet ta trajtojmë me kujdes dhe ta çojmë në ritmin e duhur.
Unë nuk dua të ngutem me asgjë për të dhe që ai të jetë pastaj në rrezik ndaj ndonjë gjëje këtu. Përtej kësaj, ai sapo ka ardhur në ekip, praktikisht duhet të jesh në formën optimale fizikisht.
Do të bëjmë pak punë me të. Ai qëndroi jashtë sot dhe ka bërë punë ekstra përgatitore, të shohim se ku do të jemi me të në javën e ardhshme”, tha Parker.