Milan ka fituar 2-0 ndaj Bari-t në “San Siro” për Kupën e Italisë, duke siguruar kualifikimin për në raundin tjetër. Kuqezinjtë gjetën avantazhin pas 14 minutave lojë.

Një krosim perfekt në krah nga Fikayo Tomoi dhe Rafael Leao dërgon me kokë topin në rrjetë.  Por, vetëm pas tre minutash pas golit, sulmuesi portugez la fushën e lojës dhe në vend të tij u aktivizua Santiago Gimenez. Ajo që dihet deri tani është se Leao u largua për shkak të një dëmtimi në pulpë, por ende nuk dihet sa serioz është.

Në fillim të pjesës së dytë, Milan dyfishoi shifrat, pas një kombinimi të bukur Gimenez-Pulisic dhe amerikani dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 66-të, debutuan zyrtarisht Luka Modric dhe Ardon Jashari me fanellën e kuqezinjve. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Tani vëmendja e kuqezinjve do të jetë te ndeshja e parë e sezonit në Serie A, të shtunën e ardhshme, ndaj Cremonese.

SHIKOGOLAT