Një kuriozitet shumë interesant, të cilin na e ndan studiuesi dhe përkthyesi Armand Plaka, që përcjell një faqe të shtypit çek dhe atij sllovak të periudhës së para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se fotot, më interesant në këtë prurje të vitit të largët 1927 (23 shtator 1927-Revista “Pestrý týden”), ishte konstatimi i Millosh Mollendas, në titullin e artikullit në fjalë, ku shkruhej:

Çekosllovakia (e atëhershme, pasi sot qysh prej fillimviteve ’90 kemi tashmë dy shtete të ndara nga njëri-tjetri), në atë kohë shihej si i vetmi shtet përkrah Shqipërisë, të cilat nuk kishin akoma një stadium të mirëfilltë për zhvillimin e lojërave sportive dhe atyre të futbollit në mbarë kontinentin.

Në fakt, siç dihet, ish-Çekosllovakia, e cila njihej për traditën e saj futbollistike e sportive qysh në ato kohë, kishte nisur në vitin 1926 ndërtimin e një stadiumi madhështor, i cili me kapacitetin rekord prej 250.000 vendesh do ta bënte të ishte shumë krenare dhe të shihej si lokomotivë e Europës në këtë drejtim.

Më vonë ai do të cilësohej edhe si “Marakana e Europës”. Sot, “Strahovi i Madh” (në çekisht: Velký strahovský stadion), i cili gjendet në lagjen me të njëjtin emër të Pragës, është vetëm një qendër stërvitore e Sllavias së Pragës, por edhe qendër multifunksionale kulturore ku shpesh njerëzit mblidhen për të shijuar ndonjë koncert “live”.

Kur nisi ndërtimi në vitin 1926 ai u konceptua si një stadium multidisiplinor për të përballuar aktivitete me përmasa madhore te tradites gjimnastikore çekosllovake, me veçorinë se posedonte një fushë futbolli tri herë më të madhe se sa standardi i përcaktuar nga FIFA.

Nga 250,000 vendet për spektatorë, në fakt vetëm 56,000 syresh mund të kishin një ndenjëse, duke e bërë atë të ishte stadiumi më i madh dhe i dyti ambient sportiv më i madh në botë, i ndërtuar ndonjëherë. Qysh prej vitit 2003, ai është shpallur nga UNESCO si “Objekt i Trashëgimisë Kulturore Botërore”.

Ndërkaq, edhe Shqipëria tashmë prej pak muajsh ka stadiumin e saj, me të cilin mund të themi më në fund se jemi “tërësisht të pranueshëm” me standardet europiane. Duket se meraku i artikullshkruesit në atë kohë ishte kërkesa dmth. protesta mbarëpopullore e sidomos e sportistëve për të pasur një stadium dinjitoz ku të zhvillonin garat e tyre, por edhe ecuria e punimeve në stadiumin “Strahov”, i cili duhet thënë se pati dy-tre valë ndërhyrjesh në vitet 1932, 1948 dhe 1975.

Do të donim sigurisht që Shqipëria të ishte marrë si shembull për të mirë, por gjithsesi, interesant është fakti se në këtë aspekt, edhe shqiptarët kishin nisur të merrnin masa, pasi me ndërtimin e “Qemal Stafës”, të paktën për kohën kur u ndërtua, dy dekada pas atij të Pragës, u ndjenë po aq krenarë.

Sigurisht, të paktën në rang rajonal, pasi puna e solli që në vitin 1946, stadiumi i tyre (për shqiptarët po aq mitik sa “Strahovi i Madh” për çekët) i projektuar nga italianët e përfunduar nga shqiptarët, të bëhej arenë e të parit event madhor të Pasluftës në rajonin tonë, ku edhe fituan një titull që e rendisin edhe sot e kësaj dite si rekord më vete./konica.al/