Armir Grima, trajneri aktual i kombëtares shqiptare të femave pritet që të marrë të premten e ardhshme postin e rëndësishëm në FSHF. Bëhet fjalë për postin e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër.
Të premten, më datë 16 tetor në ora 11.00 do të zhvillohet Asambleja e Jashtëzakonshme e kësaj Shoqate, e thirrur për shkak të dorëheqjees së kryetarit të mëparshëm Lazer Matija. Si rrjedhojë kur kanë mbetur edhe më shumë se tre vjet deri në fund të mandatit, sipas statutit është kaluar në zgjedhje të reja.
Kanë qarkulluar disa emra si kanddiatë, por Gazeta “Shkodra Sport” mëson se kandidatura e vetme e propozuar ka qenë ajo e Armir Grimës. Ka qenë KF Vllaznia që e ka propozuar fillimisht dhe më pas edhe shumë Shoqata të tjera anëtare kanë bërë të njëjtin propozim.
Çka do të thotë se Grima ka besimin e shumicës së anëtarëve dhe kjo nuk e vë aspak në diskutim zgjedhjen e tij në postin e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Në këto rrethana, menjëherë pas ndeshjes së datës 13 tetor ndaj Uellsit, ai pritet të japë dorëheqjeen nga posti i trajnerit të kombëtares së femrave, për t’iu përkushtuar më pas detyrës së re.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


