FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREHera parë pa pësuar këtë sezon, Vllaznia jep “shenja” pozitive

Hera parë pa pësuar këtë sezon, Vllaznia jep “shenja” pozitive

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia ka gjetur më në fund një nga elementët që i kishte munguar në këtë fillimsezoni: sigurinë në prapavijë. Në javën e gjashtë të kampionatit, kuqeblutë arritën të mbajnë për herë të parë portën e paprekur, duke i dhënë fund një serie prej pesë ndeshjesh radhazi me gola të pësuar.

Fitorja minimale 1-0 përballë Dinamos kishte një rëndësi të veçantë për skuadrën shkodrane. Përveç tri pikëve të para dhe suksesit të parë në edicionin 2026-2027, Vllaznia regjistroi edhe ndeshjen e parë pa pësuar gol. Një tregues pozitiv për një ekip që deri në këtë pikë të sezonit kishte hasur vështirësi për të ruajtur ekuilibrat në lojën mbrojtëse.

Në pesë javët e para, Shkodranët kishin pësuar gola ndaj Skënderbeut, Elbasanit, Partizanit, Laçit dhe Teutës. Kjo problematikë kishte ndikuar edhe në rezultatet e skuadrës, e cila nuk kishte arritur të gjente rrugën drejt fitores. Përballë Dinamos, megjithatë, tabloja ishte ndryshe, me kuqeblutë që treguan më shumë kujdes dhe përqendrim në fazën mbrojtëse.

Ajo që e bën edhe më domethënëse këtë paraqitje është fakti se Vllaznia luajti me një prapavijë thuajse të improvizuar. Në qendër u vendosën Musta dhe Gurishta, ndërsa në krahë luajtën Bardhi dhe Avduli. Nga këta katër futbollistë, vetëm Avduli ishte në pozicionin e tij natyral, por kjo nuk e pengoi skuadrën të gjente stabilitetin e kërkuar.

Përtej emrave dhe pozicioneve, ajo që ra në sy ishte përqendrimi i lartë i skuadrës në prapavijë. Vllaznia arriti të kufizonte hapësirat dhe të shmangte thuajse çdo rrezik serioz nga ana e Dinamos, duke administruar me kujdes avantazhin e krijuar. Një sjellje ndryshe nga ajo e javëve të kaluara, kur skuadra kishte vuajtur për të ruajtur ekuilibrat deri në fund të ndeshjeve.

Tashmë, sfida për kuqeblutë është që kjo paraqitje të mos mbetet një episod i izoluar, por të shërbejë si pikënisje për vazhdimësinë. Fitorja e parë dhe porta e paprekur janë dy sinjale inkurajuese në një periudhë të vështirë për skuadrën shkodrane. Vllaznia ka ende shumë për të përmirësuar, por suksesi ndaj Dinamos mund t’i japë besimin e nevojshëm për të dalë gradualisht nga kriza e rezultateve.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments