Arsenali e nisi sezonin e ri të Premier Ligë më së miri. Pavarësisht se nuk shkëlqyen në fushë, “Topçinjtë” arritën të siguronin një fitore vendimtare në “Old Trafford” (0-1, me gol të Kalafiorit) kundër një skuadre luftarake dhe të pafat, si Mançester Junaitid. Këto tre pikë i lejojnë skuadrës së Artetas të ketë një nisje të shkëlqyer dhe, më e rëndësishmja, të vazhdojë një seri mbresëlënëse.
Kundër të ashtuquajturve “gjigante” të futbollit anglez (Liverpul, Çelsi, M.Junaitid, M.Siti dhe Totenhem), Arsenali nuk ka humbur prej më shumë se dy vjetësh. Kanë kaluar plot 844 ditë nga humbja e tyre e fundit, që erdhi në prill 2023: 4-1 në stadiumin “Etihad” kundër Sitit. Që atëherë, londinezët kanë kaluar 22 ndeshje radhazi të pamposhtur kundër “gjigantëve” të ligës angleze: 13 fitore e 9 barazime.
Kjo statistikë jo vetëm që tregon rritjen e skuadrës, por edhe soliditetin e ripërtërirë në ndeshjet e mëdha, diçka që shpesh kishte munguar në të kaluarën. Aftësia për t’i bërë ballë presionit në ndeshjet kyçe është bërë një shenjë dalluese e projektit të trajnerit spanjoll, i cili e ka transformuar Arsenalin në një nga ekipet më të qendrueshme në Premier Ligë.
Me fitoren në “Old Traford”, londinezët jo vetëm konfirmojnë ambiciet e tyre për titull, por edhe forcojnë besimin se mund t’i sfidojnë hapur Sitin dhe Liverpulin në garën për fronin e futbollit anglez. Gyokeres – Sulmuesi suedez 27-vjeçar ndodhet nën presion të madh për të dhënë rezultat menjëherë këtë sezon, pasi u transferua në një marrëveshje që kap vlerën deri në 63 milionë sterlina.
Ish-sulmuesi i Brighton, Sëansea dhe Coventry është rikthyer në futbollin anglez pas një periudhe jashtëzakonisht të suksesshme me Sporting Lisbonën, ku shënoi 97 gola në vetëm 102 ndeshje. Tifozët e Arsenalit kishin shpresuar që ai do të shpërthente menjëherë në debutimin e tij zyrtar ndaj United në “Old Trafford”, ku u korr fitorja 1-0. Por suedezi nuk arriti të bënte diferencën dhe u zëvendësua në mesin e pjesës së dytë, pa realizuar asnjë gjuajtje, çka që nuk i kishte ndodhur që nga prilli i vitit 2023.
Suedezi qëndroi larg rrjeteve sociale menjëherë pas debutimit, por më pas reagoi në Instagram, duke u shfaqur me humor pozitiv. Ai publikoi dy fotografi me mbishkrimin: “Moment krenarie të bëj debutimin tim në Premier Ligë për këtë klub të veçantë dhe të nis sezonin me fitore”. Trajneri Arteta të dielën pranoi se ekipi i tij nuk arriti ta shfrytëzonte siç duhet suedezin, por mbeti optimist për të ardhmen, duke nisur nga takimi në “Emirates” kundër Lids, para supersfidës tjetër me Liverpulin.