Situata tek ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë nuk është aspak e mirë. Stërvitja ende nuk ka filluar dhe për më tepër ka shumë dilema për të ardhmen nëse do të mund të paraqiten në kampionat sepse mungesa e financave të duhura e bën të pamundur marrjen e lojtareve të tjera, ndërkohë që kontigjenti i volejbollisteve shkodrane është shumë i reduktuar.
Por, si për ta thelluar edhe më shumë problemin, edhe një tjetër lojtare e këtij ekipi është shumë pranë largimit nga Shkodra. Bëhet fjalë për pasuesen Adma Mikopula. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se ajo prej disa kohësh është në stërvitje me ekipin e Partizanit dhe shpreson që të firmosë me të.
Largimi i saj do të reduktonte edhe më shumë numrin e vajzave te Vllaznia dhe hallet do të shtoheshin edhe më shumë. Ajo çka është më interesantja ka të bëjë me faktin se ende nuk ka asnjë lëvizje nga drejtuesit, të paktën për të mos lejuar përkeqësimin e situatës edhe më shumë.
Kampionati po afron dhe ekipi shkodran ende nuk është e sigurtë nëse do të marrë pjesë apo jo në kampionat, ndërkohë që lojtaret shkodrane kanë mbushur ekipet e tjera të kampionatit shqiptar!!!