Dita e nesërme (e mërkurë) ka dhuruar në kalendar një sfidë interesante, atë në mes Vllaznisë së femrave dhe ekipit ukrainas Kolos Kovalivka. Kjo do të jetë ndeshja e kthimit në mes tyre, sepse siç dihet e para e luajtur të enjten e kaluar në “Loro Boriçi” u mbyll me fitoren 2-0 të ekipit shkodran.
Sipas kalendarit, ndeshja e kthimit do të luhej në Ukrainë por siç dihet për shkak të situatës në këtë vend, ndeshjet europiane të ekipeve zhvillohen jashtë vendit dhe për këtë arsye drejtuesit e Kolos Kovalivka e kanë mirëpritur propozimin e Vllaznisë për t’i luajtur të dyja ndeshjet në Shqipëri.
Si rrjedhojë edhe takimi i kthimit do të luhet nesër në ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në pamje të parë kampionet e Shqipërisë janë favorite, nisur nga rezultati i ndeshjes së parë por edhe ngaqë ndeshja do të luhet në fushën e tyre.
Megjithatë dy futbollistet nga më të rëndësishmet e ekipit të Vllaznisë, Megi Doçi dhe Arbiona Bajraktari, në konferencën e sotme për shtyp u shprehën se nuk nisen fare nga rezultati i ndeshjes së parë dhe për ta gjithçka do të nisë nga e para.
E njëjta gjë u deklarua edhe nga trajneri Nikolin Leka, i cili shtoi: “Në pamje të parë gjithçka mund të konsiderohet e mbyllur, por ne nuk mendojmë kështu. Po i japim vlerësimin e duhur edhe ndeshjes së kthimit dhe do të ketë një përqendrim maksimal për ta mbyllur edhe atë me sukses dhe për t’u kualifikuar për në turin tjetër”.(www.shkodrasport.com)