Pas gati 20 vitesh në krye të ekipit të të rinjve të Vllaznisë, Roland Koka nuk është më trajneri i tij. Drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia kanë vendosur që të mos e vazhdojnë më bashkëpunimin me këtë trajner me shumë përvojë dhe shumë të suksesshëm.
Vendimi është marrë para pak ditësh dhe i është komunikuar trajnerit me motivacionin se është vendosur që Shoqata do të nisë një fazë riorganizimi me të gjitha moshat dhe prandaj do të ketë lëvizje në staf.
Kuptohet që profesor Koka nuk e ka mirëpritur një vendim të tillë, por ka qenë i detyruar ta pranojë dhe t’i hapë rrugë Roni Gjeçajt, trajnerit që është ngarkuar tashmë nga Shoqata për të drejtuar ekipin U18, ndërkohë që ekipi U21 nuk do të funksionojë në sezonin e ri.
Nën drejtimin e Roland Kokës, ekipi i të rinjve të Vllaznisë ka fituar 6 tituj kampionë dhe po ashtu edhe 2 kupa. Një tregues ky i punës shumë të mirë që ai ka bërë në vite, për fitimin e trofeve por edhe për nxjerrjen e lojtarëve cilësorë për ekipin e parë.(www.shkodrasport.com)