HomeFUTBOLL - KATEGORIA E PARESamuel Nikaj: Nuk kemi objektiva për elitën, edhe pse unë kam drejtuar...

Samuel Nikaj: Nuk kemi objektiva për elitën, edhe pse unë kam drejtuar skuadra me ambicie të tilla

Burreli arriti një fitore me shumë vlerë në kampionat, duke përmbysur Besën me rezultatin 2-1. Trajneri i skuadrës matjane, Samuel Nikaj, e cilësoi këtë sukses si një nga ato që sjellin emocione të forta, veçanërisht për faktin që goli i fitores u shënua në minutën e fundit.

“Të fitosh me gol në fund është kënaqësi e madhe. E kishim përgatitur ndeshjen edhe për barazim, sepse Besa është forcë e futbollit shqiptar, me lojtarë cilësorë dhe një trajner të madh. Në fushë i respektuam, duke i lënë kontrollin e topit, por unë i kërkova lojtarëve që të luanim presing lartë. Pas golit të pësuar u pa Burreli i vërtetë, me kombinime, me lojtarë cilësorë dhe me ndërrime që bënë diferencën”, tha Nikaj.

Tekniku matjan theksoi se objektivat e skuadrës janë të qarta: të qëndrojnë në zonën e mesit të tabelës, pa presionin e ngjitjes në Superiore. “Do isha i kënaqur edhe me 1 pikë, nuk e mohoj. Por ekipi reagoi vetë, pa u ndalur. Synimi ynë është vendi i 6-të ose më lart, pra zona e ‘Play Off’-it.

Nuk kemi objektiva për elitën, edhe pse unë kam drejtuar skuadra me ambicie të tilla. Dua që djemtë të luajnë çdo ndeshje si finale, pa presion dhe me besim tek forcat e tyre. Besa ka emër dhe respekt, por ne duhet të punojmë për të mos u ndjerë inferiorë”, u shpreh Nikaj.

Duke kujtuar edhe sezonin e kaluar, trajneri shtoi: “Vjet Burreli mbylli kampionatin në vend të katërt, me një superperformancë. Ne duhet të përpiqemi të ruajmë të paktën atë nivel.”

Me këtë triumf, Burreli konfirmon se do të mbetet një skuadër e fortë dhe e rrezikshme për këdo, ndërsa Nikaj kërkon stabilitet dhe vazhdimësi për të mbajtur skuadrën në “mesin e artë” të renditjes.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments