HomeKRYESORENga Besnik Dizdari/ Kush mund ta shpëtojë Kampionatin e Shqipërisë?

Nga Besnik Dizdari/ Kush mund ta shpëtojë Kampionatin e Shqipërisë?

Ky do të jetë pra, një “Editorial Historie për Kampionatin”. Them historie, ngaqë në mënyrë që lexuesi të mos lodhet për shkak të trajtesës problematike e kritike – çka gjinia e editorialit i ka thelbësore – ma do mendja se pak histori e çlodh disi. Ndërkaq, titulli i këtij editoriali të lë të kuptosh se Kampionati Kombëtar i Futbollit të Shqipërisë është në rrezik.

Në të vërtetë, përderisa spektatorët e tij gjithnjë e më fort po e braktisin, kjo do të thotë se Kampinati është vërtet në rrezik. Dhe vetëm, dy janë stadiumet që përpiqen të rezistojnë, ai i Elbasanit dhe ai i Shkodrës. Megjithate, po nuk na u mbush mendja se Kampionati 95 vjeçar i Shqipërisë është në rrezik, absolutisht nuk mund ta shpëtojmë ate dhe se nuk kemi kuptuar asgjë nga situata e tij shkarëse. Unë për vete jam i bindur dhe jam gati të mirëpres kundërshtimet.

Një gjë ia vlen ta dijmë mirë: se Kampionati Kombëtar i Futbollit është gara sportive më tradicionale, më popullore, më kombëtare, më e dashur, më e rëndësishme, në historinë e Shqipërisë. E, ndërkaq vetvetiu të pëlqen të ndalesh te ndonjë shêj i mirë, sado i vogël të jetë ky. Ishte ndeshja Vllaznia – Partizani me një fitore të 7 minutave shtesë, ku skuadra shkodrane shënoi 3 gola të habitshëm e spektakolarë– episod ky që mund të hyjë në historinë e futbollit botëror. Vllaznia ka dhe dhe 4-1-sha të tjerë ndaj Partizanit, një prej të cilëve është i pari, ai që i përket Kampionatit të vitit 1952.

Në librin “Historia e Kampionateve të Shqipërisë – Vitet 1950- 54 – Libri 4”, kam shkruar kështu: “… Humbja prej Partizanit e këtij Kampionati të 15-të Kombëtar të Shqipërisë, do të mbetet për shumë kohë një nga enigmat e gjithë kësaj historie. I ndodhur 3 pikë përpara, vetëm 180 minuta para mbarimit, askush tashmâ nuk mendonte se Partizani mund të dorëzohej. Edhe pse dy ndeshjet e fundit kurrsesi nuk mund të konsideroheshin të lehta:

Puna e Shkodrës – Partizani dhe Partizani – Dinamo. Për të parën, kam qenë dëshmitar okular, kur fëmijë 9-vjeçar, isha ngulur prapa portës së portjerit Met Metani, ashtu në këmbë, kapur për duarsh në telat e kufizimit të Fushës së Vjetër të Shkodrës, pjesë e një publiku të pamatë, natyrisht shumica në këmbë, kur dihej se tribuna e Fushës së Vjetër të Shkodrës ishte vetëm në një krah, në zonën e 100 metrave, siç mund të përcaktohet.

Ndeshja Puna e Shkodrës – Partizani e 4 korrikut 1952, që ka hyrë në histori si dhurata e madhe e Shkodrës për Dinamon, ka një fillim elektrizues. Shkodranët ndonëse kundër një ere të fortë, mbrenda pak minutash çorientojnë mbrojtjen partizanase, ku mundohet të rezistojë vetëm Rexhep Spahiu. Serinë e çel Xhelal Juka i papërmbajtshëm qysh në të 10′, duke i dhënë zjarr një entusiazmi të paparë të publikut dhe lojës. Dhe 5 minuta më vonë Qamil Medja shfrytëzon rrufeshëm një top të ardhur mbas goditjes së këndit dhe 2-0.

Në të vërtetë, ndeshja dhe fati i Kampionatit marrin fund me këte minutë të 15-të të këtij dueli. Dhe ndonëse në të 25′ Refik Resmja shkurton në 2-1, mbas një goli që realizon falë teknikës së tij të gjuajtjeve të dënimit 30 metra larg portës së Metanit, kjo nuk e trondit Punën. Ajo rikthen shpejt gjithçka në të mirë të vetvetes deri në fund të ndeshjes. Dhe pjesa e dytë është po aq e saj. Kështu, mbërrihet te goli i tretë shkodran, më i bukuri, vepër e qendërsulmuesit shtatlartë, të paharrueshmit Zija Cungu. Dhe 3-1! Këtu Partizani merr fund si rrallë herë.

Besim Fagu që është kapiten po dhe njëri nga trajnerët e skuadrës, lë qëndrën e mbrojtjes, dhe papritmas shfaqet në qendër të sulmit, duke lënë të habitur sidomos Loro Boriçin. Dhe tashmâ nuk ka as taktikë, as 11-tësh serioz, as qetësi. Puna e Shkodrës mbërrin te goli i katërt: shënon Ali Kullolli në të 81′ dhe 4-1-shi hyn në histori. Shkodra përjeton një ngjarje të paharrueshme futbolli. Xhelal Juka e Muhamet Dibra nuk përmbaheshin. Për lojtarët e Shkodrës ka qenë e pamundur dalja nga fusha. Portjeri Metani është në krahët e tifozave.

Unë e bashkëmoshatarët e mij jemi të shtangur te telat e fushës, teksa shohim lojtarët e Partizanit duke e lënë fushën e lojës me një shamatë midis vedi. Nuk e harroj Loro Boriçin, i cili nuk pushonte duke iu drejtuar me ashpërsi lojtarëve të Partizanit të tij, teksa ndodhesha as një metër larg tyre, në një tunel njerëzish ngjitur në daljen midis rrjetës rrethuese prej teli nga ku dilnin futbollistët. Ne fëmijëve, ky 4-1 Partizanit na dukej diçka hyjnore, legjendare, ndonëse disi dhe e pakuptueshme. Shumë vite më vonë, tash një gazetar, teksa rrija me Loro Boriçin, ia kujtoja këte ndeshje “tragjike” të Partizanit dhe sidomos ashpërsinë e fjalëve të tij ndaj bashkëlojtarëve.

Boriçi duke vënë buzën në gaz më thoshte: “Ata patën frikë gjatë gjithë lojës, ndërsa unë luaja në fushën time të dikurshme dhe ndjehesha si në shtëpinë time. Kjo më mërziste fort atë ditë të paharrueshme të Shkodrës…” Ajo qe një pasdreke po aq e paharrueshme për Qytetin e Veriut, një ndeshje pasioni të madh, “inatesh” që sapo kishin filluar, kur dihej se skuadrën e Shkodrës do ta prisnin ditë tejet të vështira, ndonëse herëpashere çuditërisht, kur sapo në fushë dukeshin fanelat e kuqe të Partizanit, për skuadrën shkodrane ato nxisnin thuajse diçka të ngjashme me tërbimin e demit përballë toreadorit. Skeda e ndeshjes ka këta emra protagonistësh: 4 korrik 1952. Java 23. Fusha e Vjetër e Shkodrës:

PUNA E SHKODRES 4 PARTIZANI 1

PUNA E SHKODRES: Metani, Gjoni, Dibra, Smaja, E.Dani, Gjeloshi, Kullolli, Juka, Z.Cungu, Medja, Tepelia.

PARTIZANI: Maliqati, E.Bushati, Fagu, Spahiu, Sakiqi, F.Vogli, Parapani, Arbani (Karanxha), L.Boriçi, Resmja, Deda.

GOLAT: Juka 10′, Medja 15′, Resmja 25′, Z.Cungu 53′, Kullolli 81′.

GJYQTAR: Ramazan Kuka.”… “

* * *

Mandej hap mbas hapi ka nisur rënia e Vllanisë për të ndalur vetëm andej kah mesi i viteve ’60, rënie kjo që edhe pse ka dhuruar ndonjë tjetër fitore 4-1 ndaj Partizanit, gjithçka është përmbysur rregullisht sepse, 4-1- shat apo 4-0-t e deri 8-0-t, tash për për Partizanin. nuk do të ndalnin. Ndërkohë, siç më thotë kolegu, gazetari i mirënjohur dhe miku im i hershëm, Namik Mehmeti, i cili ka ardhur nga Firence ku jeton, dhe “shpejt” e sheh veten në tribunën e shtypit të “Loro Boriçit”, është përjetuar një gëzim i madh. Për çudi prej një publiku ku nuk mungojnë as vajzat e gratë e reja të shumta. Ky është futbolli. Më saktë, kjo është bukuria dhe vlera e madhe e futbollit, sidomos e këtij të përjavshmit që sjell gëzime e dëfrime po të përjavshme.

E pra, si ka mund ta kemi lejuar asisoji rënien e Kampionatit “të gati të të gjitha javëve të vitit” që është Kampionati Kombëtar dhe ta largojmë sportdashësin nga këto gëzime apo kënaqësi? Shpesh në shkrime kam vendosur këte pyetje disi retorike:

“I kujt është Kampionati Kombëtar?” E ndonjëherë jam përgjigjur po vetë: “Esht i yni, jo i Federatës Shqiptare të Futbollit”. Mirëpo, tash po pranoj se ky është Kampionati i Federatës Shqiptare të Futbollit. Mjafton të ndalësh te një nga shembujt e fundit. U zhvillua Kampionati i stinës 2023-24 me të famshmin “final four” që shkatërroi deri sa s’ka ku shkon vërtetësinë e garës. Kritikat qenë jo të pakta.

Mirëpo, FSHF-së, duke qenë se e paska të sajin Kampionatin, nuk i bëri “tërr”syri dhe, me mospërfilljen më të habitshme e prepotente. Po kështu organizoi edhe Kampionatin 2024-2025! Çka do të thotë se “unë nuk pyes fort për ju”.

Më saktë se “unë nuk pyes për zotërit e vërtetë të Kampionatit të Shqipërisë”, që dihet është populli shqiptar. Më saktë: “unë pyes vetëm veten time”. Për një çast, na u duk se u dorëzua për stinën 2025-26.

U rrêjtëm! Dhe prap me “final four”. Skema po ajo. Ose është me një lëmoshë të pafalshme: “po iu njoh vetëm gjysmën e pikëve që keni fituar”. Gjysmën tjetër hidheni në lum. Në në Lanë, në Dri, në Shkumbin, në Vjosë e ku të doni. Kaq meritoni. Dhe si gjjthnjë, tash bukur 11 vjet (2014) kampionat me vetëm 10 skuadra, prej të cilave sot nga “rrethi i Tiranës” janë plot 4.

Të tjerët të mirënjohur, madje themelues të Kampionatit 95 vjet më parë, janë përtej… E pra çka duhet bërë? Doemos kërkohet kthesa. Kthesa e madhe. Sapo kanë kaluar tri javë të Kampionatit dhe për fat në krye shohim skuadrat e tre qyteteve themelues të tij, ato të Elbasanit, Shkodrës e Durrësit afër të cilave është “i katërti” i rrethit “vicioz” të Tiranës që qenka skuadra e Vorës.

Një qytet i sapo lindur, apo jo? Ndonëse Partia e dikurshme e kishte zakon që sa e sa qendra mikroskopike banimi t’i quante qytete. Në librin tim të fundit të historisë së Kampionateve, kam botuar emrat e qyteteve të Shqipërisë të asokohe, të mara nga “Vjetari Statistikor i Republikës së Shqipërisë” të vitit 1955. Simbas tij janë plot 50 qytete! Deri me FushëArrëz, Kërrabë, Orikum, Përrenjas, Ulëz e Urë Vajgurore! Për çudi mungon Vora. Por në fund të fundit kjo nuk ka fort rëndësi. Edhe në shtete të tjera skuadra qendrash të vogla banimi kanë bërë histori me futbollin. Ndonëse me një ndryshim nga Shqipëria. Ato kurrsesi nuk janë bërë shkak të cenojnë apo të shuajnë historinë e skuadrave të qyteteve të vërtetë, themelues të futbollit të kombit të tyre…

Mos të dalim nga tema. E rëndësishme është që shqiptarët e sotëm, pra edhe ata që janë dashamirë të futbollit, çuditërisht ka vite që heshtin. Nuk e ndjekin Kampionatin. Kjo është klima “e re”. Kaq! Nuk po dua ta zgjas fort më tej, duke qenë i bindur se me të tjera problematike më duhet të vazhdoj në editoriale të ardhshëm. Mirëpo heshtja, nënshtrimi i atyre që mbajnë skuadrat, sidomos presidentët e tyre, nuk të çudit, të mahnit!

Nga ana tjetër hesht edhe ai që mund të jetë më i rëndësishmi që është opinioni publik që duhet të shpaloset sidomos nga televizionet që kanë pushtetin absolut në këte kah. Të gjithë me rubrika të një stili, me të ftuar, që më shumë i preokupon vendosja taktike e skuadrave shqiptare se sa varfëria strategjike e përmbajtjes së Kampionatit: shkaqet e rënies të tij, mungesa e spektatorëve, “mbytja” që i bëjnë frymëmarrjes së Kampionatit, transmetimet e pandalshme deri dhe jo e pak ndeshjeve krejt të rëndomta të shteteve të tjera të Europës. Të cilave “pronarja” FSHF kërkon t’i përngjajë duke iu lejuar skuadrave shqiptare që të blejnë pa asnjë kufizim lojtarë mesatarë apo të rëndomtë nga shtetet e tjerë, pra. Duke flakur tej pa mëshirë mbështetjen për skuadrat e të rinjve të Shqipërisë. Megjithate, nuk jemi edhe fort keq.

Në Tiranë u mbajt një mbledhje krejt e zakonshme e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Eufori e tanë me në krye presidetin e UEFA-s Ceferin-in nga Sllovenia. Dhe me kënaqësinë e madhe për t’u krenuar që kjo mbledhje u mbajt në Shqipëri, si të ishte ajo e mbasluftës. E shoqëruar deri dhe me pritjen në Kryeministri në ate që u quaka “Eden Park”, nga njeriu i ngarkuar me detyrën e kryeministrit, prej gojës të të cilit doli dhe kërkesa për të organizuar në Shqipëri Superkupën e Europës. Dhe kjo qenka rritja apo fuqizimi i futbollit të Shqipërisë! Mirëpo nuk dimë ndonjë rast të ndonjë shteti tjetër, ku organizimi i një mbledhje të zakonshme, madje rutinore të KE të UEFA-s merrka përmasa të tilla deri kryeministrore apo qeveritare si në Shqipëri. Tash mbas kësaj “përvoje” na mbetet të organizojmë, pse jo, edhe Kongresin e FIFA-s. Nuk është keq edhe kështu, megjithatë. Shqipëria në të vërtetë organizoi për bukuri Kampionatin e 17 vjeçarëve të Europës, edhe pse për veten e saj nuk fitoi asnjë ndeshje, nuk shënoi asnjë gol të vetëm!

Më parë Shqipëria organizoi edhe finalen e Kupës (Cenference) të Europës. Kur përpara është Kampionati i 21- vjeçarëve të Europës në bashkëpunim të ngushtë me “armiken” Serbi. Bukur vërtet! Vetëm Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, nuk po ia arrijmë ta fuqizojmë, ta rrisim, t’ia blatojmë përsëmbari popullit futbolldashës të Shqipërisë sonë. Dhe nuk mbyllet me kaq problematike e “eduitorialit të një historie”, siç po e quaj.

“Besa “vetvritet”, lexova një titull në “PanoramaSport”. Ka bukur 11 vjet që skuadra historike e Kavajës futbollistike nuk bën pjesë në Kampionatin Kombëtar. Ndonëse është pra, një nga themelueset e tij. Për të mos thënë se është një nga epiqendrat e tij. Si Shkodra, Tirana, Korça, Durrësi, Elbasani, Vlora, Berati, Gjirokastra, Fieri, Lushnja… Gjysmën e të cilave nuk i kemi në Kampionatin Kombëtar, të cilit pak kush ia përmend edhe emrin e vërtetë. E quajnë Abisnet Superiore.

Dhe “përjashtimit” të Besës së Kavajës i shtohet edhe ai i Luftëtarit të Gjirokastrës, tash edhe i Skenderbeut të Korçës, pa harruar Apoloninë e Fierit e KS Lushnjën e Lushnjes e deri te Tomori të Beratit – rekordmen me 13 vjet jashtë Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë së tij! Skuadra qytetesh kryesorë të Republikës sonë të dashur, pra. Sigurisht një Ceferin nuk i di këto, e madje s’ka pse t’i dijë. Ndonëse Shqipëria është anëtare e UEFA-s që ai drejton. Rëndësi ka që të gjitha këto t’i dijnë shqiptarët e futbollit, edhe pse nuk bëzajnë!.. Sidoqoftë, edhe kështu Kampionati nuk është keq: 4 skuadra – 40 pëqind – janë nga Tirana. Me apo pa spektatorë të pranishëm, kjo është për nja 20 editoriale të tjerë rresht…

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments