Nga Endri ÇINARI
Vllaznia mori një barazim të “hidhur” në javën e katërt të Superiores, ku shkodranët u arritën në një rezultat 1-1 nga Teuta vetëm në momentet e fundit të lojës. Me një gol të durrsakëve që erdhi pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi, ku realisht deri në minutën e 90-të, porta e kuqebluve ishte rrezikuar shumë pak nga ana e vendasve. Me ekipin e Martinit që kishte mundësi të shumta shënimi për të dyfishuar shifrat gjatë lojës dhe të mos diskutonte marrjen e pikëve të plota në fund të 90 minutave.
Pikërisht ky fakt është analizuar në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë, pasi skuadra krijon shumë raste dhe dominon ndaj kundërshtarit në pjesën më të madhe të lojës. Në këtë mënyrë duke pasur raste të shumta shënimi, por që janë “shpërdoruar” nga ana e futbollistëve shkodranë.
Edhe ndaj Teutës, ekipi kishte mundësi minimalisht ta mbyllte në avantazhin e dyfishtë pjesën e parë, në këtë mënyrë duke “vrarë” takimin i cili më pas do kërkonte vetëm menaxhim nga ana e 9 herë kampionëve të vendit tonë.
Për këtë arsye tek Vllaznia kërkojnë të rregullojnë shënjestrën dhe situata të tilla të mos ripërsëriten në ndeshjet e ardhshme. Siç, ndodhi edhe ndaj Partizanit, ku pavarësisht se skuadra krijoi një mori rastesh, fitorja u arrit vetëm në minutat shtesë të ndeshjes.
Prandaj kërkojnë që duelet të “mbyllen” para kohe e rastet e krijuara të dërgohen në rrjetë, me kuqeblutë që krijojnë shumë volum gjatë 90 minutave, por edhe që janë skuadra që ka shpërdoruar më shumë se asnjë tjetër në këto katër javë të para të Superiores.(www.shkodrasport.com)