Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku je ton prej disa vitesh, ish-kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, ka folur për “Panorama Sport”. Ai analizon situatën e kuqebluve dhe ndeshjen e fundit ndaj Teutës. Lika thekson se skuadra meritonte më shumë se një barazim dhe vlerëson Vllazninë si një nga ekipet pretendente për titull, duke shpresuar që të japë më shumë në ndeshjet e ardhshme.
Si e analizoni barazimin e fundit të Vllaznisë në Durrës kundër Teutës?
E shikova ndeshjen nga fillimi në fund dhe mund të them me plot gojën që kishte vetëm një ekip në fushë, dhe ajo ishte Vllaznia. Skuadra shkodrane dominoi totalisht takimin, si në kontrollin e topit, ku i la shumë pak mundësi Teutës, ashtu edhe në rastet e krijuara. Mund ta kishte mbyllur duelin më herët, por i tillë është futbolli, jo çdo herë merr mbrapsht atë që jep në fushë.
A meritonte diçka më tepër skuadra shkodrane?
Absolutisht po. Vllaznia krijoi dhe shpërdoroi shumë, dhe nga rezultati 1-1 ky barazim ka shijen e humbjes. Goditja standarde e fundit i dha Teutës mundësinë për të barazuar, edhe pse në 90 minuta durrsakët pothuajse nuk u shfaqën në zonën shkodrane.
Çfarë nuk shkoi në fund?
Nuk besoj se kjo përbën problem. Tërheqja e skuadrës në fund ndodh instiktivisht, edhe tek ekipet më të mëdha. Problemi ishte se Vllaznia nuk këmbënguli për golin e dytë për të mbyllur ndeshjen, pavarësisht dominimit në fushë.
Pse po “vuan” Vllaznia jashtë Shkodrës?
Është herët për të thënë se vuajnë jashtë fushe, sepse janë luajtur vetëm dy ndeshje deri tani. Megjithatë, kjo është diçka që duhet analizuar brenda skuadrës dhe të përmirësohet në javët e ardhshme.
Ndëshkimet me kartonë, pse ka kaq shumë?
Vllaznia nuk luan lojë të egër dhe ka karakterizuar gjithmonë ‘fair play’. Këtë edicion gjyqtarët janë më të ashpër me të gjitha ekipet. Disa kartonë mund të ishin kursyer dhe të zgjidheshin me paralajmërim, pasi shumica nuk erdhën për lojë të fortë.
Stoli i fortë, a është kjo një garanci për Vllazninë?
Stoli është shumë cilësor dhe një garanci. Kampionati do jetë i gjatë dhe do ketë pezullime apo dëmtime, por ekipit i mungon vetëm të përdorë maksimalisht futbollistët kualitativë. Rritja e konkurrencës brenda ekipit rrit edhe cilësinë dhe kontributin në fushë.
Si e shihni ecurinë e kuqebluve në vijim?
Vllaznia do të rikthehet te fitoret. Është ndër 2-3 ekipet me grupin më të mirë të futbollistëve, prandaj kam shumë besim te cilësia dhe eksperienca e tyre. Ekipi do të udhëheqë kampionatin dhe do mbetet ndër pretendentet kryesor deri në fund.
Një këshillë për skuadrën?
Këshillat më të mira i japin ata që punojnë çdo ditë me futbollistët. Megjithatë, Vllaznia duhet të dijë të ‘vrasë’ ndeshjet kur krijon shumë raste, duke siguruar vazhdimësi fitoresh dhe rritur moralin e ekipit për ndeshjet që pasojnë.