Skuadra vorake e ka lënë mënjanë entuziazmin e fitores në Laç ndaj Flamurtarit dhe që nga dje ka nisur përgatitjet për takimin e radhës, duke përqendruar të gjithë vëmendjen maksimale, ndërkohë që vazhdojnë të mos luajnë dy titullarët që do t’i mungojnë gjatë skuadrës, Ruzgis dhe Hasaj.
Por do të ketë rikthimin e Vrapit, ndërkohë që të gjithë lojtarët e tjerë do të jenë të gatshëm në dispozicion të Bellajt. Qëndërsulmuesi 24-vjeçar, braziliani Luiz Felipe da Silva Rodrigues, që i dha fitoren e fundit ekipit të Vorës në Laç kundër Flamurtarit, duke shënuar nga pika e penalltisë, dha këtë deklaratë për takimin e radhës dhe emocionet e bukura që ai po kalon tek Vora, për “Panorama Sport”:
“Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e këtij klubi, që ka surprizuar ekipet e mëdha të superiores. Sigurisht që akoma më të lumtur më bën fakti që arrita të shënoj golin e parë personal historik në Shqipëri. Vora është një skuadër mjaft e kompletuar dhe konkurrenca për të zënë një vend në formacionin titullar është jashtëzakonisht e madhe, ku çdo lojtari i duhet të sforcohet dhe të japë më shumë se maksimumi, kjo falë lojtarëve cilësorë që ka klubi i Vorës.
Unë po ndjehem si në shtëpi, pasi kam edhe shokët e tjerë brazilianë në ekip. Të gjithë shkojmë mirë dhe mundohem që të ambientohemi sa më shpejt me këtë vend kaq të bukur që është Shqipëria. Dua të shënoj sërish. Vllaznia është një kundërshtar i fortë, por Vorës nuk i mungojnë kapacitetet e nevojshme për ta fituar edhe këtë takim.”