Do të nisë sot kampionati kombëtar i futbollit të femrave dhe Vllaznia ndeshjen e parë do ta ketë “derbin” me Atletik Klub Shkodra. Ky takim është planifikuar të nisë në orën 15:30 dhe do të luhet në kompleksin sportiv “Hasaj”.
Padyshim që objektivi jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe më pas do të jetë vetëm fitorja sepse skuadra kuqeblu është ndërtuar sërish për të qenë triumfuese. Objektivi i saj i vetëm padyshim që do të jetë fitimi i titullit kampion, i cili do të ishte i 13-ti rradhazi për të.
Kuptohet që gara këtë sezon pritet të jetë edhe më e fortë sepse përpos Apolonisë e Gramshit, tashmë duket se edhe Teuta me ndryshimet që ka bërë në organikë, do të jetë pretendente e fortë në garën për titull.
Megjithatë Vllaznia është Vllazni dhe sigurisht që nuk mund të “trembet” nga ekipet që krijohen dhe më pas zhduken si “flakë kashte”. Shkodranet janë një ekip i mirëinvesuar dhe mbi të gjitha me një strategji të qartë se ku duan të arrijnë.
Për më tepër, ato për momentin nuk e kanë aspak mendjen tek Apolonia, Gramshi e Teuta, por tek dy përballjet me INTER ku padiskutim që do të provojnë kualifikimin për në turin e tretë të “UEFA Women’s Europa Cup”.(www.shkodrasport.com)