Pas paraqitjes madhështore të Kylian Mbappe në fitoren e Real Madridit kundër Kairat në Kazakistan, ku sulmuesi francez realizoi një tripletë spektakolare në kuadër të Ligës së Kampionëve, David Alaba nuk kurseu lavdërimet për shokun e skuadrës.
Mbrojtësi austriak, i cili u rikthye si titullar për herë të parë këtë sezon dhe luajti 90 minuta pas më shumë se një viti, foli për mediat e klubit duke theksuar rëndësinë e Mbappes për ekipin.
“Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Është lojtari më i mirë në botë. Na sjell raste në çdo ndeshje dhe vrapon për skuadrën”, ka thënë fillimisht Alaba.
“Është i rëndësishëm si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Jemi shumë të lumtur që e kemi në ekipin tonë”.
Alaba komentoi gjithashtu edhe rikthimin e tij në formë, pas një mungese të gjatë për shkak të lëndimit.
“Jam shumë mirë, i gatshëm për të luajtur 90 minuta si sot. Jam shumë i lumtur që arrita ta përfundoj ndeshjen dhe ndjehem në formë të shkëlqyer”.
“Kjo ishte edhe një nga qëllimet tona. Pas ndeshjes së fundjavës, reagimi ynë ishte shumë i rëndësishëm. Sot luajtëm shumë mirë, me seriozitet maksimal, ishte një paraqitje e nivelit të lartë”, përfundoi Alaba. /Telegrafi/