Nga Greqia, për “Panorama Sport” ka folur Lulzim Bersheni. Ish-futbollisti i Vllaznisë ka komentuar ecurinë e Superiores deri në këto momente, duke u ndalur veçanërisht tek kuqeblutë.
Të cilët në sytë e ish-fantazisitit kanë bindur, por jo ende aty ku dëshiron ai. Pasi Bersheni thekson se kjo skuadër ka mundësi për akoma më tepër dhe të dhurojë një futboll emocionues. Ndër të tjera ai është i kënaqur që ekipi po luan me një mentalitet sulmues dhe po ashtu ndan edhe një mendim për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit.
Si i analizoni këto 5 javë të kampionatit shqiptar në përgjithësi?
Nuk është se kam pasur mundësi të shoh thuajse të gjitha ndeshjet, por nga sa kam parë skuadrat ende po gjejnë ritmin e tyre. Shumë prej ekipeve kanë pasur ndryshime nga sezoni i shkuar dhe patjetër i duhet kohë të gjejnë kiminë e futbollistëve. Nuk besoj se ende kemi parë ndonjë nivel të lartë, përjashto ndonjë ndeshje të caktuar. Po ashtu do të theksoja se mungesa e tifozëve në stadiume iu ul edhe bukurinë dueleve në fushë.
Duket se është rikthyer disi ai stili sulmues…
Kjo më pëlqen shumë, Vllazni që s’ka frikë të sulmojë dhe dominojë. Ashtu siç ka bërë në gjithë historinë e saj, e ka thënë edhe më parë, duket se po rikthehet në AND-ën e saj origjinale. Duke dhuruar futboll sulmues dhe të pëlqyeshëm, ashtu siç e kërkojnë të gjithë në Shkodër. Një ekip që hedh në fushë 5-6 futbollistë me tipare sulmuese shikohet qartë se çfarë mentaliteti kërkon të paraqesë në fushën e lojës.