Opinion nga Gjergj KOLA

Dëshira për të shkruar rreth një teme të tillë sigurisht që nuk ishte prezent tek unë ngaqë nuk është diçka e mirë të përmendësh gjëra të tilla. Megjithatë ky është realiteti. Shumësportëshi shkodran është në prag të shkrirjes së tij. Deri më tash, ai ka funksionuar si pjesë e Bashkisë Shkodër e cila që në fillim të vitit miratonte një fond për të gjithë sportet bashkë dhe aq. Me këtë fond sigurohej pagesa e disa punonjësve të këtij klubi, siguroheshin trajtimet ushqimore për sportistët cilësorë, paguheshin trajnerët për orët ë punës dhe bëheshin disa shpenzime administrative. Por tani e tutje nuk do funksionojë më kështu. Dalja e ligjit për shndërrimin e klubeve në shoqata sportive apo shoqëri aksionere, e bën të domosdoshme një gjë të tillë. Në fakt, edhe nënkryetari i Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani disa muaj më parë do shprehej se ekipet sportive nuk kishin të ardhme tjetër veçse të bënin këtë shndërrim. Ai tha se të gjitha ekipet sportive gjatë verës duhej të shndërroheshin në shoqata dhe në shtator duhej të fillonte mënyra e re e financimit. Nga ajo periudhë askush nuk u ndie më. Që do të thotë se trajnerët dhe sportistët menduan se u harrua kjo gjë. Por fillimi i kampionateve të lojërave me dorë, ka nxjerrë në plan të parë një problem shumë serioz, atë të mospagesës as të udhëtimeve dhe as të dietave për sportistët. Që do të thotë se me shumë mundësi, ata do shkojnë drejt shkatërrimit. Edhe nëse bëhet ky shndërrim në shoqata, nuk do jetë zgjidhje. Kjo ngaqë mungojnë donatorët dhe në mungesë të tyre, ekipet do ta kenë të vështirë të mbijetojnë. Përveç kësaj, ideja është që edhe pallati i sportit “Qazim Dervishi” të shndërrohet në një ndërmarrje me vetëfinancim. Çka do të thotë se punëtorët e tij do të paguhen në bazë të të ardhura që do përfitojnë. Thënë ndryshe, çdo seancë stërvitore e ekipeve të basketbollit dhe volejbollit, do paguhet. Çdo aktivitet i xhudos, mundjes, pingpongut etj, po ashtu. Para këto që nuk dihet se nga do merren dhe ku do shkojnë. Në kushte të tilla, gjasat janë që vitin e ardhshëm të mos kemi më as mundje, as çiklizëm, as shah, as pingpong, as xhudo, as not dhe ndonjë sport tjetër. Mund të mbijetojë vetëm boksi, falë përpjekjeve që bën trajneri Zef Gjoni, do qëndrojë me vështirësi basketbolli, volejbolli apo dhe peshëngritja dhe kaq. Në dyshim do jetë edhe atletika, mbretëresha e sporteve. Duket se vërtetë ky është fundi. Bashkia Shkodër ka treguar edhe deri tani se është mjaftuar vetëm me dhënien e një fondi dhe kaq. Ai fond do jepet sërish por mënyra e shpërndarjes dhe shumë gjëra të tjera, do ta bëjnë sportin shkodran një rrëmujë të vërtetë. Gradualisht duket se po vjen fundi i shumësportëshit shkodran dhe ky është një mëkat i madh. Në rradhë të parë i vetë ligjit të sportit që në vend të rregullojë disa gjëra për mirë, detyron shkuarjen e sporteve drejt shkrirjes. Ky është ndër absurditetet më të mëdha në vendin tonë.