Burreli i drejtuar nga trajneri shkodran, Samuel Nikaj, po bën gati gjithçka për nisjen e sezonit të ri futbollistik. Të shtunën, matjanët do të jenë mysafirë në Korçë, aty ku do të përballen me një prej skuadrave më të forta të Kategorisë së Parë, Skënderbeun.
Vera solli ndryshime të rëndësishme për klubin, jo vetëm në organikë, por edhe në drejtimin teknik. Pas largimit të Ditmar Bicajt, stolin e mori Nikaj, i cili ka nisur menjëherë punën për të ndërtuar një skuadër kompetitive. Në një prononcim për “Panorama Sport”, administratori i Burrelit, Marjan Lleshaj, foli për afrimet, largimet dhe pritshmëritë e skuadrës:
“Sa i përket merkatos, kemi pasur afrime, por edhe disa largime. Gjithsesi kemi ruajtur boshtin e ekipit, pasi kemi lojtarë që janë rritur nga viti i kaluar dhe tashmë po përfitojmë prej tyre. Kemi bërë edhe afrime cilësore, jo domosdoshmërisht me emra të mëdhenj, por me lojtarë që ofrojnë vlera për grupin.” Miqësoret e verës kanë shërbyer si një test i mirë për Burrelin, megjithatë Lleshaj e di që kampionati do të ketë vështirësitë e veta:
“Përgatitjet dhe miqësoret na kanë ndihmuar shumë për të parë se ku jemi dhe ku duam të arrijmë, por në kampionat melodia është tjetër. Këtë vit pritet të jetë një kampionat shumë i fortë.” Sfida e parë nuk është aspak e lehtë, pasi përballë do të jetë një rival me shumë emër në futbollin shqiptar. “Ndeshja në Korçë do të jetë e vështirë, pasi Skënderbeu ka një ekip shumë cilësor dhe në fakt nuk e meritonte rënien nga Kategoria Superiore.
Por tashmë kjo është një realitet, ndaj ne do të përballemi me ta si të barabartë, njësoj si me çdo kundërshtar tjetër. Kemi treguar se dimë të vlerësojmë dhe të luftojmë në çdo ndeshje. Shpresoj të jetë një sfidë “fair-play” dhe ta shijojmë, pavarësisht rezultatit,” u shpreh Lleshaj. Burreli kërkon të nisë me këmbë të mbarë një kampionat që pritet të jetë ndër më të fortët e viteve të fundit, duke synuar të tregojë se është gati të përballet denjësisht me çdo rival.