Një sportist i madh, trajner kampion dhe po ashtu edhe një drejtues i aftë. Kështu mund të portretizohet Mark Kroqi, megjithatë vetë ai ka më shumë dëshirë të etiketohet si sportist.

Pikërisht për këtë ka marrë së fundmi edhe dy vlerësime të larta, atë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës dhe së fundi edhe “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër si një nga “Sportistët e shekullit” të SK Vllaznia.

Duke folur në lidhje me këtë gjë, ai do të deklaronte: “Është një sadisfaksion shumë i madh, një emocion i jashtëzakonshëm që, jo çdo gjë ta jep. Absolutisht që ta jep vetëm sporti.

Unë e kujtoj me shumë mall, me shumë dëshirë, e kujtoj me shumë nostalgji atë pjesë, sepse e them me bindje të plotë që është pjesa më e bukur që unë kam kaluar në jetën time”.

Kroqi sot është trajner i femrave të Vllaznisë dhe i pyetur në lidhje me këtë përvojë, ai shprehet: “Tek unë kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë elemente të trajnerave që unë kam patur plus eksperiencen e sportit si sportist dhe duke i bërë të gjitha bashkë, unë i kam vënë në dispozicion të sportit të volejbollit dhe shpresoj që me një punë edhe më të madhe ne do të arrijmë shumë më tepër nga se kemi arritur”.
www.shkodrasport.com