Opinion nga Gjergj KOLA

Lidhja është e ngushtë. Këto dy të tjerat I bashkon I pari. E kemi fjalën për legjendën e çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, Agim Tafilin. Në fillim të kësaj jave, ai pati njëvjetorin e ndarjes nga jeta. Në kushte të tilla, sigurisht që ai është përkujtuar. Mosha e re e ndarjes nga jeta por më së tepërmi, karriera shumë e pasur që ka lënë pas, e bënin këtë kollos të biçikletës një njeri të respektuar.

Dhe jo vetëm në Berdicë, fshatin e tij të lindjes por edhe në Shkodër madje edhe në gjithë Shqipërinë. Megjithatë nuk ndodhi kështu. Shkodra, qyteti për të cilin ky sportist ka kontribuar aq shumë në 25 vitet e karrierës së tij, “e harroi”. Mbase nuk ka qenë dita e duhur për të kujtuar këtë njëvjetor të ndarjes nga jeta të Agim Tafilit sepse e hëna e 14 janarit ka qenë e mbushur me aktivitete politike në Shkodër. Paradite dhe pasdite . Dhe para liderëve të së djathtës, administrata e Bashkisë së qytetit më të madh verior, nuk mund të vinte kurrsesi Agim Tafilin, pavarësisht se kush ishte ai dhe çfarë kontributi kishte dhënë për të. Ndoshta mund të mos jetë kjo, por në fakt ky është realiteti. Nuk ndodhi vetëm në Shkodër. Ka ndodhur diçka e tillë edhe në Berdicë. Këshilltarë të djathtë të Komunës, nuk kanë qenë dakord më dhënien e emrit të tij shkollës 9 vjeçare të fshatit të tij të lindjes!!! A thua se Berdica ka me dhjetra figura të tilla të rëndësishme dhe kishte një garë se emrin e kujt duhej të zgjidhnin. Ndoshta kjo mund të mos jetë bërë thjesht kundër emrit të tij por për t’I dalë kundër propozimit të kryetarit të Komunës që I përket krahut tjetër politik. Megjithatë Besnik Brahimi ia doli ta çonte deri në fund premtimin e tij për ta përjetuar emrin e madh të kësaj zone tek shkolla e fshatit të tij të lindjes. Ky njeri në fakt as nuk e kishte njohur asnjëherë personalisht, as nuk kishte biseduar ndonjëherë gjatë jetës së tij me Agim Tafilin por kur ka parë se çfarë respekti  kishte Shkodra dhe gjithë Shqipëria, mori përsipër t’ia bënte të gjitha nderimet në institucionin që ai drejton. I dha titullin “Qytetar Nderi” I Komunës, mori përsipër të gjitha shpenzimet financiare për kupën “Agim Tafili” që u organizua majin e vitit të kaluar, në përvjetorin e tij të lindjes dhe tashmë, I vuri edhe emrin e tij një shkolle. Megjithatë nderimet e tij dhe të Komunës që ai drejton nuk kanë përfunduar  këtu. Besnik Brahimi ka thënë se nuk do ndjehet I qetë derisa të mos realizojë edhe një premtim tjetër, vënien e një busti të madh të kësaj figure të madhe në vendin e quajtur “Harku I Berdicës”. Këto I përkasin të gjitha Berdicës, vendlindjes së tij.
Në Shkodër (Berdica ndodhet vetëm 2 km larg qytetit), në fakt nuk është kjo atmosferë dhe ky respekt për këtë figurë. Kuptohet që situata në “Metropolin e Veriut” është më ndryshe. Ajo nuk ka vetëm një figurë siç mund të ketë Berdica por shumë të tilla, paçka se Agim Tafili mbetet ndër më të veçantit jo vetëm në këtë qytet por në gjithë Shqipërinë. Një vit më parë, pikërisht atëherë kur u nda nga jeta, Bashkisë Shkodër I duhet hequr kapela për nderimin që I bëri kësaj figure. Homazhet e organizuara në ambjentet e Prefekturës, tregojnë se nderimi I është bërë. Por vetëm atë ditë. Më vonë gjërat erdhën duke u harruar. Propozimi I klubit Vllaznia për t’I dhënë një titull me rastin e përvjetorit të lindjes, mbeti disa muaj në sirtarët e sekretarive të këtij institucioni. Një propozim I bërë për t’I dhënë titullin më të lartë që jep Bashkia, atë “Qytetar Nderi”. Në fakt ky titull zakonisht nuk jepet për shkodranët e gjallë, por vetëm për ata pas vdekjes dhe për të huaj që lënë gjurmë në këtë qytet. Agimi kishte vdekur dhe I takonte ky titull. Kam qenë ndër njerëzit që janë marrë me këtë çështje dhe më 29 qershor të vitit të kaluar, anëtarë të Këshillit Bashkiak më telefonuan dhe më thanë se u dha titulli për Agim Tafilin. Ndërkohë pak ditë më parë, gjithnjë duke menduar se do kishte një ceremoni nga klubi Vllaznia apo dhe nga Bashkia për njëvjetorin e vdekjes por çuditërisht marr vesh se titulli që I ishte dhënë nuk ishte “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) por :Mirënjohja e Qytetit”!!! Mendova se ishte ndonja gabim por në fakt në sekretari pas kontrollimin e dokumentacionit, konstatuam se nuk kishte gabim. Komisioni I Dhënies së titujve kishte bërë këtë propozim! Paksa e çuditshme sepse Agim Tafilit nuk kanë se kur t’I japin më ndonjë titull. Jo vetëm kaq. Në Bashki nuk kishin as korniza për të futur në të letrën me vendimin e dhënë sepse për kornizat duhet tender. Në kushte të tilla, kur askush nuk merr përsipër të bëjë diçka më shumë, titulli “Mirënjohja e Qytetit” mbetet sërish në sirtarët e Bashkisë. Familjarët e mjeshtrit të biçikletës në njëfarë mënyre ndjehen të fyer me “harresën” e pushtetarëve”. Aq më tepër që askush nuk ishte present në Berdicë kur iu vu emri shkollës. Madje as pjestarë të klubit Vllaznia, për të cilin Tafili kishte kontribuar si pakkush tjetër. Nuk dua të them ishte harresë apo mosdashamirësi. Emrin t’ia vënë vetë ata. Përderisa është dhënë një titull, do ishte shumë me vend që diçka të organizohej në mënyrë që edhe ndera e Bashkisë të shkonte në vendin e vet. Kuptohet duke mos menduar se në këtë mes ka diçka politike sepse nëse do ishte vërtetë kështu, do ishte absurd.
Agim Tafili, Berdica dhe Shkodra… Ky trinom duhet të jetë pranë njëri-tjetrit. Jo vetëm për këtë rast. Mbase në maj kur Agimi ka përvjetorin e lindjes, do ishte e mira që këto polemika të shuhen dhe të organizohet sërish kupa me emrin e tij. Berdicës I intereson që Tafili të mbetet I madh edhe pas vdekjes. Besoj se këtë gjë kërkon edhe Shkodra. Në fund të fundit duke respektuar figura të tilla, drejtuesit aktualë respektojnë veten, respektojnë popullin që I ka zgjedhur.
Njerëz që e kanë njohur Agim Tafilin mendojnë se ai meriton çdo mirënjohje. Ka qenë një njeri I rrallë dhe një sportist I rrallë. Dhe përderisa ka qenë I tillë, meriton çdo nderim. Nga të gjithë ne. figura të tilla nuk duhen lënë në harresë. Nëse Tafilët, Syka e ndonjë tjetër, kanë bërë me krahë gjithë Shkodrën me mënyrën si garonin, me triumfet e sukseset e tyre, të paktën sot ne duhet t’I bëjmë familjarët e tyre të ndjehen krenarë për bijtë e tyre. Natyrisht që nuk mund t’ia kthejmë kurrë më Agimin familjes Tafili por të paktën ua bëjmë të qartë se ai ka qenë krenaria jonë. Prandaj dhe gjesti I kryekomunarit të Berdicës Besnik Brahimi për t’I vënë emrin “Agim Tafili” shkollës së këtij fshati, vlen sa mijëra e mijëra fjalë të bukura. Shokët dhe miqtë e kësaj legjende të çiklizmit tashmë kanë vend se ku të ngushëllohen me shokun dhe kolegun e tyre sepse sa herë që do kalojnë nga Berdica, do ta gjejnë Agimin aty, tek shkolla e tij.