Ka lindur dhe eshte rritur ne Tirane, por Agustin Kola, nje nga emrat e medhenj te futbollit shqiptar, asnjehere nuk e ka mohuar origjine e tij, ate nga Dukagjini. E ka permendur kete edhe ne media sa here qe eshte pyetur per kete gje.

Ka ndodhur keshtu edhe ne nje interviste me gazetarin Bujar Rama disa kohe me pare teksa ka folur per origjinen e tij, miqte me te mire nga futbolli, per emrin e tij dhe shume gjera te tjera. Disa nga pyetjet dhe pergjigjet e kesaj interviste mund t’i ndiqni me poshte:

Cilët janë miqtë më të mirë të Agustin Kolës në botën sportive dhe përtej saj?

Janë të shumtë. Miq, shokë, dashamirës, simpatizantë… Bota e sportit na e ka dhënë këtë privilegj që të na duan, të na përshëndesin e të na respektojnë, sikurse edhe ne ndihemi mirë dhe përpiqemi të bëjmë sado minimalen e mundshme: respektin për dashamirësit tanë të panjohur, të cilët na përshëndesin në situata të ndryshme. Sa u përket miqve më të mirë, ata janë të shenjtë dhe të shtrenjtë për Agustin Kolën janë dhe mbeten pjesë e jetës sime. Në aspektin sportiv, përgjithësisht kam pasur miq më të mëdhenj se vetja.

E dini cilët? Janë legjendat e futbollit shqiptar, duke nisur që nga Lir Përnaska, me të cilin kam qenë tifoz personal, nga i papërsëritshmi Safet Berisha, Shyq Ballgjini, Mujo Targaj e gjer te Ben Minga, bashkëmoshatari dhe miku im më i ngushtë (përlotet)… Unë e kam dashur shumë futbollin dhe kam pasur lidhje të ngushta sportive e miqësore edhe me trajnerin legjendar Loro Boriçi, me Zyber Konçin, që me Shkëndijën e asokohe ktheu futbollin klasik në futboll total, si Ajaksi i viteve ’70, teksa në atë kohë, kur shkova unë te Shkëndija e dytë, kam pasur bashkëlojtarë të shquar, si: Milto Gurma, Jani Kaçi, Lir Luarasi, Dash Bajaziti etj. dhe unë ndihem krenar që kam luajtur me ta, pasi më thirri trajneri Shyqyri Rreli, duke më aktivizuar si mbrojtës të majtë.


Çfarë është Dukagjini për Agustin Kolën?

Dukagjini është origjina ime e hershme, gjyshi im ka lindur në 1927 dhe vajza ime e vogël i bie të jetë brezi i katërt. Por, Dukagjini, ata malësorët e palëkundur asnjëherë, janë origjina ime, janë “rrënjë për degët” dhe unë nuk e kam mohuar dhe as do ta mohoj kurrë, ndërsa si nip, origjinën e nënës dhe dajat i kam nga Gurakuqi i Shkodrës.


Modeli i futbollistit për Agustin Kolën, në Shqipëri dhe jashtë saj…

I vogël, kam qenë tifoz pas Ilir Përnaskës, sepse ka qenë i jashtëzakonshëm në atë që bënte në fushë. Në arenën ndërkombëtare, unë simpatizoj futbollin italian dhe, duke qenë se dikur kam luajtur mbrojtës i majtë, kam preferencë të veçantë për Marko Tardelin, i cili ka shënuar një gol të veçantë në finalen e Botërorit në Spanjë në 1982, kur Italia fitonte 3-1 ndaj RFGJ-së (Gjermania sot).


Emri juaj a ka të bëjë me Shën Agostinin?

Di që unë kam emrin e gjyshit tim nga ana e nënës, ai e ka pasur Agustin. Nga ana fetare, unë jam njeri që mbaj edhe Bibël, edhe Kuran në shtëpi, por nuk shkoj as te prifti dhe as te hoxha, as në kishë e as në xhami. Jam njeri i poshtër, supernjeri i poshtër, por unë besoj te njerëzit dhe në Zot, pa ndarje fesh, pasi edhe Kurban Bajramin, edhe Pashkët i respektoj, si ajo kënga e bukur: “Ne festat fetare/ i gëzonim bashkë/ një dele Bajrami/ një dele për Pashkë”. Dhe Zoti është një, ai që na mban të gjithëve larg mëkateve dhe gjynaheve.

Çfarë nuk ju pëlqen sot në futbollin shqiptar?

Futbollit shqiptar sot i mungon profesionalizmi, e them sërish me të madhe. Privatizimi i klubeve do të sillte edhe vetë profesionalizmin e munguar, mendoj unë. Stërvitje vetëm 2 orë në ditë?! Kaq… Dikur i bënin ekipet amatore të kooperativave bujqësore! Sot ka më shumë marketing, fasadë dhe shou, sesa cilësi.