Alen Sherri i ka dhënë lamtumirën klubit të Egnatias, pasi sot do të prezantohet si portieri i ri i Kaljarit në Serinë A. Portieri shqiptar ka udhëtuar drejt Italisë për të firmosur me skuadrën e tij të re, duke i dhënë fund një dyvjeçari shumë të suksesshëm me rrogozhinasit.

Vetë futbollisti, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka dashur të shprehë mirënjohjen e tij ndaj rrogozhinasve për një eksperiencë të paharrueshme për të, teksa bëhet gati për një tjetër shumë të rëndësishme në karrierë.

POSTIMI I SHERRIT

Përshëndetje!

Nuk di nga të filloj të flas për dy vitet e kaluara. Dy vite plot miqësi, vllazëri, fitore, besim, mbështetje, humbje, trishtime, të gjitha së bashku. Sot fillon një eksperiencë e re për mua dhe doja që fillimisht ta nisja duke falënderuar pa përjashtim të gjithë ata, të cilët besuan te unë dhe më mbështetën gjatë gjithë këtij rrugëtimi në klubin EGNATIA.
:

Duke nisur me në krye presidentin dhe drejtorin të cilët besuan te unë në një moment të vështirë të karrierës time, me shokët e ekipit më të cilët ndamë kohën më të madhe të ditës tonë dhe kishim një grup fantastik, me tifozët të cilët ishin gjithmonë mbështetës e prezent në çdo ndeshje, me stafin e palodhur të cilët punuan shumë me mua, me mjekët e ekipit që u kujdesen për të gjithë ne, me punëtorët të cilët u kujdesën gjithmonë që çdo gjë të shkonte siç duhej. Do jem përgjithmonë mirënjohës dhe falënderues ndaj jush.

Jam shumë i lumtur për faktin që të gjithë se bashku arritëm gjëra të mëdha dhe të shkruanim histori edhe pse të paragjykuar si një qytet i vogël. Faleminderit K.F. Egnatia.