Nga Gjergj KOLA

Vllaznia e viteve ’70 është një nga më të bukurat dhe më të suksesshmet e futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Pjesë e saj kanë qenë shumë emra të shquar të cilët kanë lënë pas një emër shumë të mirë me lojën dhe paraqitjet e tyre në fushën e lojës. Një prej tyre është edhe mbrojtësi i majtë i asaj kohe Menduh Dedja. Një lojtar i shpejtë dhe që gjithmonë ka rënë në sy për performancën e tij në këtë krah.

Po ndalemi tek ky personazh sepse ai sot duhej te festonte 79 vjetorin e lindjes, por per fat te keq ka vite qe mungon mes nesh, por kjo nuk na pengon ta kujtojme me respekt e mirenjohje per ate se çfare ka dhene per futbollin shkodran dhe ate shqiptar.

Menduh Dedja ka lindur në Shkodër më 13 mars 1945 dhe ka nisur të luajë herët futboll. Shfaqet protagonist në finalen e Kupës së Republikës të vitit 1965 atëherë kur Vllaznia fiton të parën kupë në historinë e saj.

Më pas vazhdon të luajë rregullisht në formacionin kuqeblu dhe të jetë pjesë e sukseseve të kësaj skuadre në sezonin 1971-72 kur fitoi si titullin kampion edhe Kupën e Republikës. Po ashtu edhe në titullin e sezonit 1973-74. Pas lënies së futbollit, vazhdon të bëjë për shumë vite detyrën e trajnerit të moshave dhe më pas edhe tek ekipi i të rriturve të Adës.

Por një sëmundje e rëndë i ka marrë moshën në një moshë disi të re sepse është ndarë nga jeta vetëm 64 vjeç, saktësisht më 16 prill të vitit 2009.

Menduh Dedja, i dha shumë futbollit shkodran dhe atij shqiptar, ku ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij sportive janë tre trofet e fituara me uniformën kuqeblu. Menduh Dedja, ish- mbrojtësi i majtë i kuqebluve, i ashtuquajturi “zeklani” i Vllaznisë ka lënë emrin e tij në historinë e këtij klubi.

I gjithë opinioni sportiv, sidomos në qytetin e Shkodrës e kujtojnë mbrojtësin e majtë të skuadrës kuqeblu.
që së bashku me kolegët e brezit të tij, Paulin Ndojën, Zyhdi Bashën, Selman Cukalin, me të cilin pati një shoqëri shumë të afërt edhe pas largimit nga sporti deri sa ndërroi jetë, Frederik Çapalikun, Hajrullah Lekajn, Lëkë Koçobashin, Ramazan Rragamin, Mehdin Zhegën, Suad Durrajn, Halil Pukën, Ismet Hoxhën, Sabah Bizin, Çesk Ndojën, Rauf Çangën, por edhe me trajnerin rezultativ Xhevdet Shqiri, etj, ka lënë të shkruar një sërë rezultatesh brilante në historinë e futbollit shkodran duke qënë fitues i trofeve kombëtarë të viteve 1965, 1972 dhe 1974, pa përmendur këtu edhe sa e sa ndeshje të sukseshme që ai shpalosi në formacionin shkodran si një titullar i padiskutueshëm.

Ndërkohë, me po aq sukses dhe pasion, Menduh Dedja do të vijonte edhe në rolin e trajnerit, ku pas largimit nga fusha e blertë si futbollist, ai spikat në detyrën e përgatitësit të elementit të ri në, kryesisht me ekipet zinxhir, puna mjeshtrore e të cilit evidenton një sërë talentesh që mbërrijnë edhe në ekipin e parë.

Ndërkohë që ka meritë edhe në drejtimin e Adës së Velipojës në vitet e para të pjesëmarrjes së saj në kategorinë e parë. Nën shembullin dhe vlerat e Menduh Dedjës, tradita në famijen e njohur sportive “Dedja” vazhdon me Hysen Dedjen, vëllain e Menduhit, i cili e çon edhe më lart emrin e mirë të kësaj familje, kontributi i të cilit në futbollin shqiptar vazhdoi për vite me rradhë.

NDERIMI

Për vlerat e tij në fushën e futbollit, si futbollist, por edhe si trajner, Këshilli i Bashkisë sëbShkodrës e ka nderuar figurën e Menduh Dedjes me titullin “Krenaria e Qytetit”, duke mos munguar edhe një sërë diplomash dhe vlerësimesh që ka pasur gjatë kartrierës së tij sportive./www.shkodrasport.com/