Në historinë e futbollit shkodran ka shumë personazhe që kanë lënë gjurmë por sot do të ndalemi tek njëri prej tyre që ka një kontribut të madh, në fillim si sportist, më pas si trajner por edhe si drejtues klubi. Bëhet fjalë për Ismet Hoxhën. Kjo ditë është e veçantë për të sepse ai ka ditëlindjen. Feston 75 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ismet Hoxha ka lindur në Shkodër më 23 mars 1948 dhe ashtu si shumica e fëmijëve zgjedh të merret me futboll. Angazhohet shumë shpejt me ekipet e moshave të Vllaznisë teksa në vite është stërvitur nga emra shumë të njohur duke filluar nga Ernest Halepjani, Zyhdi Bakalli, Xhelal Juka, Gjon Simoni, Rexhep Laçej, Rifat Rusi dhe për të përfunduar tek Muhamet Dibra me të rinjtë.

“Duke u stërvitur nga këta emra të mëdhenj sigurisht që përfitova shumë si futbollist dhe për mua, ëndërra e kalimit tek ekipi i parë i Vllaznisë do të bëhej realitet atëherë kur mbusha 18 vjeç.

Ka qenë trajneri Skënder Jareci ai që më mori në ekip të parë në vitin 1964 por pa luajtur. Ndeshjen time të parë me këtë skuadër e kam bërë në vitin 1965, vit kur ekipi shkodran fitoi të parën Kupë të Republikës. Ndeshja ime e parë ka qenë kundër Partizanit ku më aktivizuan si mesfushor i djathtë”- thotë Hoxha.

Vijon të jetë pjesë e ekipit shkodran edhe për dy sezone më vonë. Në vitin 1967, pikërisht një ditë pas ndeshjes së famshme Shqipëri- Gjermani 0-0, më 18 dhjetor, ai shkon ushtar. “Fillimisht më çuan në Durrës për 10 ditë dhe pastaj më tërhoqi Partizani në Tiranë. Me këtë ekip kam fituar Kupën e Republikës në vitin 1968 duke mundur pikërisht Vllazninë në finale me rezultatin 4-1.

Në atë edicion të kësaj Kupe, kam qenë shënuesi më i mirë i saj me 7 gola. Të luash në një ekip me emra të tillë si Panajot Pano, Lin Shllaku, Mikel Janku, Mihal Gjika, Astrit Ziu, Neptun Bajko etj, sigurisht që për mua ishte diçka fantastike. Për më tepër që arrita të luaj në skuadër me Panon e madh, të cilin në moshë të re mundohesha ta imitoja, sepse me moshat e vogla luaja me fanellën me numrin 10 që ai mbante në shpinë”- shton më tej Hoxha.

Megjithatë tek Partizani nuk do të qëndronte shumë. Menjëherë pas ndeshjes ndaj Torinos, në shtator të vitit 1968, sëbashku me Astrit Ziun kemi shkuar në Gjirokastër. Luftëtari ishte “nën patronazhin” e Partizanit dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit i çuan të luajnë atje. Kështu do të vazhdohej deri në fund të vitit 1969 kur kthehet në Shkodër.

“Në janar të vitit 1970 fillova të luaj sërish me Vllazninë dhe këtë e bëra deri në vitin 1977 kur lashë sportin, pikërisht në moshën 29 vjeçare. Moshë e re ndoshta por kështu e ndava mendjen dhe vendosa t’i jap lamtumirën fushave të blerta”- shton protagonisti i këtij shkrimi në rrëfimin e tij.

Gjatë aktivizimit me Vllazninë, Ismet Hoxha do të fitonte të tjera trofe. Do të shpallej kampion në vitin 1972 dhe po në të njëjtin vit do të fitonte edhe Kupën e Republikës ndërsa dy vite më vonë do të shpallej sërish kampion me kuqeblutë.

Sakaq, në Spartakiadën e 4-të Kombëtare në vitin 1974, Ismet Hoxha, sëbashku me Shyqyri Ballgjinin, do të cilësoheshin dy futbollistët më të mirë të Spartakiadës dhe ata morën edhe dhuratat përkatëse. Po ashtu, sulmuesi shkodran për disa vite rresht është renditur ndër shënuesit më të mirë të kampionatit.

Golat më të bukur

Ka shënuar shumë gjatë karrierës së tij por dy janë momentet që kanë mbetur ende në kujtesën e Hoxhës.

“I pari është rasti i 11-metërshit të dytë në finalen e dytë ndaj Besës së Kavajës në finalen e Kupës së vitit 1972. E mora atë 11-metërsh që më pas u kthye në gol nga Rragami, çka bëri që ndeshja të shkonte drejt gjuajtjes së 11-metërshave ku fituam dhe u shpallëm fitues të këtij trofeu.

Rasti tjetër që mëë ka mbetur në mend është goli i fitores që i kam shënuar Shpresave të RDGJ-së, gol që i dha fitoren kombëtares tonë me rezultatin 1-0. Natyrisht edhe golat e tjerë kanë lënë ato kujtimet e bukura megjithatë unë dua të evidentoj këto dy gola që ishin edhe shumë të rëndësishëm për ekipet me të cilët luaja”- thotë ai.

Kombëtarja

Duke spikatur me lojërat dhe golat e shënuar në kampionat për Vllaznisë, Hoxha do të ftohej edhe në Kombëtare gjatë atyre viteve. Ka luajtur vetëm tre ndeshje, ato ndaj Finlandës, RDGJ-së dhe Kinës, megjithatë emocionet kanë qenë të mëdha për të. “Veshja e fanellës kuqezi ka qenë ëndërra e çdo futbollisti dhe unë kam patur fatin ta provoj këtë gjë, ndonëse në jo shumë ndeshje.

Megjithatë nëse kam luajtur vetëm 3 ndeshje me kombëtaren e madhe, kam qenë për disa vite pjestar i ekipit Shpresa, madje edhe kapiten i saj. Madje, jam shpallur dy herë nënkampion i Ballkanit me këtë ekip, në vitin 1970 në Sofje të Bullgarisë dhe në vitin 1974 në Bukuresht të Rumanisë.

Lënia e sportit

“Nuk e vazhdova më. Në moshën 29 vjeçare mendova se kisha arritur gjithçka dhe prandaj vendosa të tërhiqem ndonëse mund të jepja sërish për Vllazninë. Të luaja përkrah emrave të tillë si Paulin Ndoja, Ramazan Rragami, Sabah Bizi e Medin Zhega, ka qenë një privilegj i madh për mua.

Sidomos për mua që luaja si sulmues dhe treshja Rragami- Bizi- Zhega të çonin vetë tek goli. Unë ia dola ta bëj këtë gjë dhe prandaj kam qenë shumë i lumtur me atë çfarë kam arritur në karrierën time. Gjithsesi, nuk do të largohesha për asnjë moment nga futbolli”- thotë profesor Ismeti.

Karriera si trajner

“Menjëherë pas lënies së sportit, pikërisht në vitin 1978, kam nisur punën si trajner moshash në klubin Vllaznia. E ka vazhduar deri në vitin 2000 kur duke drejtuar ekipin e të rinjve të Vllaznisë, u shpall kampion i Shqipërisë.

Mundën Flamurtarin me 11-metërsha në ndeshjen e luajtur në Lushnjë. Trajneri Hoxha e ka ende në kujtesë atë moment dhe atë festë të ekipit të tij. Edhe ngaqë, shumica prej tyre më pas do të bëheshin futbollistë të njohur. Edhe sot pas 17 vitesh ai e kujton të gjithë formacionin e asaj finaleje.

“Në portë ishte Gaspër Ndoja, për të vazhduar me Margjinin, Telin, Krajën, E.Hoxhën, Doçin, Belishën, Kokën, Kaçin dhe Bekën. Të gjithë djem të talentuar. Shumica bënë karrierë më pas, duke luajtur dhe shkëlqyer me ekipin e parë të Vllaznisë. Për mua, kjo ishte një kënaqësi e madhe”.

Por nga duart e mia nuk kanë kaluar vetëm këta futbollistë por edhe Hysen Zmijani, Çlirim Basha, Zamir Shpuza, Suad Lici, Edi Martini, Armando Cungu, Vioresin Sinani, Luan Zmijani, Elvin Beqiri, Arjon Mustafa etj, të cilët kanë luajtur edhe me ekipin kombëtar”- thotë ai.

“Pengu”

Deri me të rinjtë ka punuar si trajner por Ismet Hoxha nuk ka qenë asnjëherë zyrtarisht trajner i ekipit të parë të Vllaznisë. Në fakt ka arritur ta drejtojë këtë ekip për një periudhë 2-3 mujore, madje duke marrë pjesë edhe në Kupën Intertoto por kjo nuk ia ka plotësuar taman dëshirën.

“Një njeri kur i futet fushës së trajnimit padyshim që kënaqësinë më të madhe e ka kur drejton ekipin e parë. Në jo pak raste ma kanë ofruar marrjen e drejtimit të Vllaznisë por e kam refuzuar (me përjashtim të verës së një viti kur e drejtova në ndeshjet ndërkombëtare ngaqë ekipi kishte mbetur pa trajner).

Ndoshta ngaqë mendoja se nuk isha gati apo dhe arsye të tjera por gjithnjë kam thënë “jo” dhe mbase mund të kem vepruar gabim. Ky është “pengu” që nuk kam realizuar si trajner në karrierën time, ndonëse siç e thashë, mundësia më është dhënë për ta bërë një gjë të tillë”- thotë profesor Ismeti.

Karriera si drejtues

Përveçse si trajner me moshat, Ismet Hoxha ka kryer edhe të tjera funksione në klubin Vllaznia. Kështu, në vitet e arta të titujve kampionë, 1998-2001, ai ka mbajtur rolin e sekretarit të klubit. Pas një shkëputje dyvjeçare është rikthyer sërish në këtë pozicion duke qëndruar deri në vitin 2006. Sakaq, në vitet 2012-2014 ka kryer edhe detyrën e përgjegjësit të Akademisë Vllaznia duke plotësuar në njëfarë mënyre ciklin e plotë të posteve drejtuese në këtë klub.

Për të gjitha këto kontribute, Ismet Hoxha në prill të vitit 2022 është nderuar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Gjergj KOLA