Tifozët shkodranë janë shquar gjithmonë për mbështetjen e madhe që i kanë bërë Vllaznisë.

Dhe jo vetëm në ndeshjet e luajtura në Shkodër. Jo më kot, rënia e saj prej Superligës është përjetuar në mënyrë dramatike prej tyre.

Sidomos prej tifozëve më të vjetër në moshë. Ata që kishin shkuar deri në Tiranë, Durrës, Kavajë e Elbasan me biçikleta për t’i mbështetur para viteve ’90.

Por, atëherë nuk ka qenë e lehtë të ndiqje skuadrën tënde të zemrës.

Përveç sakrificave për të udhëtuar me biçikleta ngaqë nuk kishte mjete të tjera transporti, tifozët shkodranë kanë patur probleme edhe me mungesat e tyre në ndërmarrjet ku kanë punuar.

Aq sa, ky është bërë një problem shumë i madh, madje deri në mbledhjet e Byrosë Politike.

Më poshtë, po publikojmë për herë të parë një dokument të rrallë të marrë nga Arkivi Qendror Shtetor dhe qe na eshte mundesuar nga miku i gazetes tone Idrit Idrizi.

I përket një mbledhje të vitit 1983 të këtij organi të lartë të pushtetit qendror në vend.

Në bisedën e zbardhur janë tre personazhe të njohura të jetës politike në vend të atyre viteve, Enver Hoxha, Adil Çarçani dhe Hekuran Isai.

Ky i fundit në fjalën e tij flet për gjeste indisiplinimi të shkodranëve që nuk e kishin shumë mendjen tek puna.

Më pas, biseda vazhdon si më poshtë:

Shoku Enver Hoxha: Po mirë ku është atëherë disiplina që tjetri punon në ndërmarrje vetëm një orë dhe merr për tetë orë?

Shoku Adil Çarçani: S’ka gjëkundi disiplinë këtu.

Shoku Hekuran Isai: Ja, shoku Enver, mijëra tifozë shkodranë largohen nga puna 3-4 ditë dhe skuadrën e tyre të futbollit e ndjekin nga pas deri në Tiranë e gjetkë.

Shoku Adil Çarçani: Po ata nuk janë të gjithë vagabondë.

Shoku Hekuran Isai: Jo, me siguri nuk janë të gjithë vagabondë, por punën ama e lënë për sa ditë largohet skuadra që simpatizojnë.

Shoku Enver Hoxha: Një veprim i tillë është akt i hapët van,dalizmi.