Skuadrat e Abissnet Superiores janë në ditët e fundit të përgatitjeve para nisjes së edicionit të ri futbollistik. Të gjitha ekipet kanë bërë ndërhyrje në merkato e tani presin lëvizjet e fundit para se të fillojë sezoni i ri.

Nga Tirana kampione e deri tek Bylisi dhe Erzeni të ngjitur këtë vit në Abissnet Superiore, kanë ndryshuar në organikë. Disa prej skuadrave i kanë besuar eksperiencës, ndërsa të tjera elementëve të rinj.

Bylis është një nga ekipet që ka bërë më pak lëvizje deri më tani, por sipas “Transfermakt.com” është skuadra me moshën mesatare më të re nga 10 ekipet e Abissnet Superiores. Ballshiotët kanë moshën mesatare 21.8 vjeç dhe në skuadrën e tyre bie në sy që asnjë lojtar i federuar deri më tani nuk e kalon moshën 29 vjeç!

Oltjan Haremi dhe Aleksandar Damcevski janë dy lojtarët më të mëdhenj në moshë, 29 vjeç, ndërsa të gjithë të tjerët nuk i kalojnë të 27-at. Pas Bylisit është ekipi i Egnatias me moshën mesatare 22.7 vjeç.

Vllaznia është ekipi që duket se beson te eksperienca, duke qenë dhe ekipi me moshën mesatare më të lartë. Shkodranët e kanë moshën mesatare 25.2 vjeç, ndjekur nga Erzeni me 24.6. Te kuqeblutë, dy lojtarët me moshën më të madhe janë Bojan Zogovic dhe Darko Bulatovic: 33 dhe 32 vjeç.

Eksperienca apo elementët e rinj? Kush do të ketë më shumë sukses mbetet për t’u parë në fund të kampionatit…