Pas rezistencës dhe mënyrës sesi fituan me Brazilin, duke eliminuar favoritët më të mëdhenj të këtij Botërori, pa dyshim që pritej diçka më shumë nga Kroacia e Luka Modriçit ndaj Argjentinës, ndonëse ata deri në momentin e penalltisë, pas gjysmë së parë të orës, dukeshin se po kontrollonin të paktën topin.

Por pikërisht goli i shënuar nga Lionel Mesi nga pika e bardhë nxori në sipërfaqe 3 dobësi të kombëtares ballkanase.

BARUT I LAGUR – Në një ndeshje ku gabimi më i vogël mund të të kushtojë qoftë edhe një brez lojtarësh, siç është edhe gjysmëfinalja e një Botërori, diferencën kryesore e bën aspekti fizik. Dhe Kroacia tregoi se benzina i kishte rënë në fund, edhe si rrjedhojë e dy sfidave të mëparshme, respektivisht me Japoninë dhe Brazilin me më shumë se 120 minuta lojë. Nëse Argjentina nga ana e saj pas golit ishte fizikisht potente, e shpejtë dhe agresive në kundërsulm, Kroacia u duk se i kishte ezauruar energjitë e saj. Pas disavantazhit ata hasën vështirësi që të impononin lojën e tyre dhe jo sepse nuk kanë klas në përbërje të tyre, por për të shtyrë topin përpara nevojiteshin edhe gjunjë të fortë. Por jo, ballkanasit nisën që të humbnin thuajse çdo duel fizik. Kjo bëri që me kalimin e minutave, përveç forcës fizike, Kroacia të humbte edhe forcën psikologjike, duke e dënuar përfundimisht kombëtaren e Zlatko Daliçit.

PA BUSULL – Rënia fizike bëri që me kalimin e kohës Kroacia të humbte edhe mundësinë për t’u ribashkuar mes reparteve në momentet e kundërsulmit. Fakti konkret ishte pësimi i golit të dytë të tyre, kur Lovren ishte harruar i vetëm prapa, ndërsa asnjë prej pjesës tjetër të skuadrës nuk kishte forcë që të ndiqte sulmuesin Alvarez, i cili bëri mbi 70 kilometra me top në këmbë i pashqetësuar, duke gjetur një autostradë përpara deri në mbrojtje, ku me pak fati devijoi gjithsesi në rrjetë. Të humbësh busullën dhe koordinimin mes reparteve në një gjysmëfinale Botërori është thjesht një vetëvrasje.

LIRSHMËRIA E MESIT – Marselo Brozoviç ndoshta ishte fytyra më e qartë e disfatës së Argjentinës. Jo se mesfushori i Interit ishte fajtor për humbjen, përkundrazi, por ai, njeriu i mushkërive të mëdha, që ndaj Japonisë regjistroi 16.7 kilometra të bërë në 120 minuta, u duk se ishte fare qartë jashtë parametrave të tij. Dhe jo vetëm për distancën e përshkruar, por edhe për pozicionimin në fushë. Ai ishte njeriu që duhej të ndiqte Mesin, më saktë të mos lejonte galopime të tij dhe korridore që argjentinasi të shfrynte fantazinë e tij. Por, përjashtuar 30 minutave të para, Brozo dhe shokët e tij nisin që t’i linim shumë hapësira “Pleshtit” në gjysmëfushën e tyre dhe kur Mesi u ndez dhe pati fushë për të luajtur, aty kapitulloi edhe ekipi i Daliçit.