Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Arjan Peço, ka analizuar barazimin ndaj Serbisë, duke deklaruar se ekipi kishte bërë mirë falë leximit të duhur të sfidës nga Silvinjo. Ish-futbollisti kuqezi ka kritikuar shpesh punën e trajnerit brazilian, por këtë herë kishte vetëm lëvdata për të.
“Ekzekutimi i penalltisë lë për të dëshiruar, nuk e di ndoshta portieri bëri lëvizje false. Penalltinë e kanë humbur shumë lojtarë, është e vështirë, në ndeshje me presion.
Me pëlqeu vendosja e ekipit, sidomos e tre sulmuesve të vendosur lart, serbët krijuan hendek të madh, gjenim Manajn që nuk e kishte të vështirë me Milenkoviç, e bëri punën e vet. Patëm shumë aksione, nuk u kuptua nga Serbia, Stojkoviç nuk është trajner top në anën taktike, nuk e kuptuan. Vazhduam dhe patëm sukses dhe erdhëm me Brojën. Hoxha çaloi në pjesën e parë, u duk që i mungon ritmi.
Kjo ka qenë ndër ndeshjet më të mira taktike, për mënyrën si kishte vendosur ekipin, me tre sulmues lart, mbi të gjitha kur opinioni pret më tepër ekuilibër. Broja nuk mbron por si e interpretoi në të djathtën ishte në mënyrë perfekte. Silvinjo e ka lexuar mirë dhe ndaj i ka vënë në vështirësi, në pjesën e parë Broja i vuri në krahun e majtë shumë herë”, shpjegoi Peço për TV Klan pas duelit.