Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia e volejbollit të meshkujve do të ndeshet këtë të premte me ekipin më të mirë të kampionatit, Partizanin. Aktualisht, të kuqtë renditen në krye të tabelës së klasifikimit me 9-pikë të plota. Kjo ndeshje do të zhvillohet pasditën e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në prag të këtij dueli, në një prononcim për “Shkodra Sport”, trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja, duke folur për ndeshjen ndaj Partizanit, u shpreh se volejbollistët e drejtuar prej tij do të mundohen të tregojnë më të mirën e tyre.
“Me sa kemi parë deri tani, Partizani është skuadra që ka afruar volejbollistët më të mirë të kampionatit shqiptar. Edhe vjet ka qenë shumë e fortë, ku doli kampion, por sivjet ka afruar edhe dy volejbollistë nga ekipi i Tiranës. Kështu që, unë mendoj se skuadra e Partizanit është një ndër skuadrat më të përforcuara të kampionatit shqiptar. Për ne është ndeshje shumë e vështirë, por besoj që ne do të japim maksimumin tonë dhe do të nxjerrim një ndeshje të bukur. Të shohim. Ne jemi përgatitur seriozisht, por t’ia lëmë fushës së lojës.”
Kalaja foli edhe për mbështetjen nga ana e Bashkisë, ndërsa tha se ndihet i keqardhur për mosarritjen e trofeve vitet e fundit nga Vllaznia.
“Mbështetja e Bashkisë këtë vit ka qenë më e madhe sesa vjet, por të shohim si do të jetë janari, sepse projekti i Bashkisë është deri në fund të dhjetorit. Keqardhje për mos-arritjen e trofeve? Patjetër që kam keqardhje, sepse detyra dhe objektivi i çdo trajneri është marrja e trofeve. Unë trajnerin do ta krahasoja me një mullixhi që me miellin që ka, do bëjë punën më të mirë. Edhe unë mendoj që me volejbollistët që kemi, kemi dhënë më të mirën tonë.”
Vllaznia në volejboll për meshkuj vjen në ndeshjen ndaj Partizanit, pas humbjes në Korçë ndaj Skënderbeut me rezultatin e pastër 3-0 dhe prandaj, në këtë duel do të synohet rikthimi te rezultatet pozitive./www.shkodrasport.com/