23 GUSHT 1931: THEMELOHET KAMPIONATI SHQIPTAR I NOTIT

Përkujtimi prej Federatës së sot me Shqiptare të Notit të 85-vjetorit të krijimit të Federatës Shqiptare të Notit më çoi edhe një herë te themelimet kombëtare të këtij sporti – çka në këtë gazetë po botohen për herë të parë.

Një festim disi i qetë, për të mos thënë pa bujë apo pa jehonë, më nxiti për të saktësuar këtë histori të harruar, të mënjanuar e të shpërndarë pa u mbështetur në një bosht historik të vërtetë, çka sot në Shqipëri ngjet thuajse me të gjithë sportet.

Ndërkaq, mësoj se kolegu ynë i nderuar Xhoxhi Vasili, pa asnjë mbështetje, ka përfunduar një libër për notin me një skrupulozitet që vetëm ai e ka, atje në Sarandën e tij. Ndërkaq, mua më duhet që menjëherë ta nis me një ndreqje, sepse nuk është fjala për 85-vjetorin e themelimit të Federatës Shqiptare të Notit, por është fjala për themelimin e Kampionatit të parë Kombëtar të Notit në Shqipëri. Ndonëse, siç dihet, Federata Ndërkombëtar e Notit (Federation Internationale de Natation – FINA) është themeluar më 19 korrik 1908 në “Manchester Hotel” të Londrës prej tetë shteteve (Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë, Francë, Britani e Madhe, Hungari dhe Suedi), anëtare e së cilës qysh më 1933 – çka duhet riverifikuar – është edhe Shqipëria…

Ajo që ne sot kemi krejt të saktë është se Shqipëria Mbretërore ka guxuar të organizojë, natyrisht në kushte tejet të vështira dhe në det të hapur, Kampionatin e 1-rë Kombëtar të Notit, organizim pionieristik që deri më sot askush nuk e ka vlerësuar ndër ne, ndonëse rrënjët e notit modern modest shqiptar janë aty, te ky vit 1931. Më parë, më 1929, Shqipëria kishte organizuar Kampionatin e 1-rë Kombëtar të Atletikës, më 1930 Kampionatin e 1-rë të Futbollit dhe më 1931 këtë të Notit.

Asnjë traditë, asnjë pishinë, qoftë dhe modeste, asnjë instruktor të mirëfilltë noti, asnjë trajner kësisoj të rangut. E, doemos, mjete modeste, mungesë e tërë përvoje. E megjithatë papritmas historia nis e shkruan faqen e saj të parë edhe për notin, kur tashmâ, të paktën nga pikëpamja organizative, kampionatet kombëtare të atletikës së lehtë dhe të futbollit kishin marrë udhë. Duke i qëndruar brenda vitit 1931, ky Kampionat i 1-rë i Notit iu hyn në mes si një risi javëve interesante të dy Kampionateve të dy sporteve të tjerë.

Më 5 korrik kishte përfunduar Kampionati i 3-të Kombëtar i Futbollit, më 23 gusht starton ky i Notit dhe mbas pak, më 31 gusht 1931, ai i 3-të i Atletikës së Lehtë. Është një verë e gjitha sportive kjo e vitit 1931, që shtang shqiptarët, sidomos durrsakët kur kujton se disa ditë më parë, në javorin 28 qershor – 5 korrik 1931, Teuta e tyre ishte bërë për herë të parë Nënkampione e Shqipërisë në futboll, duke iu dorëzuar SK Tiranës së pambërritshme në dy ndeshjet dramatike të Shekullit për Shqipërinë: 1-1 në Shallvare dhe për fat, 0-3 në Durrës! Qyteti i Detit dhe i Amfiteatrit antik, që asokohe ende nuk ishte zbuluar, do ta gjente megjithatë ngush- ëllimin e kësaj humbjeje te Kampionati befasues i parë për notin shqiptar…

Ngjarja e re daton më 23 gusht 1931. Durrës. Më saktë në molon e Durrësit. Kjo është data e themelimit të Kampionatit Kombëtar të Notit në Shqipëri. Shtypi i kohës njofton: “Të dielën, 23 gusht, ora 5 e mbrëmbjes u zhvillua në molon e Durrësit, Kampionati Kombëtar i Notit me një sukses fare të shkëlqyer, para një shumice të madhe populli midis të cilëve shquheshin Princërit e N. e tyre Hysen e Esad që ndanë çmimet në fituesit”.

Është një Kampionat që zhvillohet brenda një pasditeje të vetme, por është një themelim. I zhvilluar në vetëm katër gara, ky Kampionat i parë që tërheq kureshtjen e pamatë të gjithë qytetit bregdetar, përveç të tjerave, përbën veprimtarinë e parë sportive që i dha Durrësit titullin e parë të Kampionit Kombëtar në historinë e sporteve shqiptare.

Në atë 23 gusht 1931 nis sundimi i gjatë durrsak në sportin e notit. Dhe vetëm në këto vite ’30, kur Mbretëria do të zhvillojë jo pak, por plot 7 Kampionate Kombëtare të Notit, ato kanë vetëm një fitues: Sportklub Teutën e Durrësit.

Kemi mundur të zbulojmë kampionët e parë të Shqipërisë në këtë sport, tre nga katër prej të cilëve janë të Teutës së Durrësit:

Në 100 metra stil i lirë fiton Taq Dafa i Teutës, një figurë e hershme karizmatike e sportit shqiptar, fitoret e të cilit nuk do të ndalnin. Dafa fiton në një duel me bashkëqytetarin e tij Sulejman Goga dhe vendi i tretë bëhet pronë e Sulejman Toptanit të Sportklub Tiranës.

Në 200 metra stil i lirë përsëri Durrësi, kësaj here falë notarit të tij Nikolla Jukano, i cili ndiqet nga nënkampioni Muharrem Toptani i SK Tiranës dhe i treti që është Sezai Agolli i Shoqërisë Sportive Vlora.

Në 400 metra stil i lirë, kampioni ynë i parë kombëtar bëhet Todi Dhami i Dragojt të Pogradecit dhe në vend të dytë e të tretë Mustafa Haçku i Teutës dhe Izedin Llusi i Vlorës.

Në 1000 metra kampion është Spiro Goga i Teutës, në vend të dytë Nikolla Jukano po i Teutës dhe i treti Muharrem Toptani i SK Tiranës.

Ai duket si një duel midis durrsakëve dhe toptanasve të Tiranës, por me Vlorën dhe Pogradecin, qysh në ditën e tij të themelimit noti kryqëzon shpatat sportive në kahe perëndimore dhe lindore të Shqipërisë. Çudia është se mungon Shkodra, ajo që shpejt do të shfaqej edhe në skenën e notit. Natyrisht pa guxuar assesi të prekë sundimin e Durrësit. Ndërkaq, teknikisht gjithçka të duket modeste dhe e vogël. Flasin për këtë edhe rezultatet pionieristike të arritura, tre prej të cilëve, mbas një hulumtimi jo pak të lodhshëm, mundëm t’i gjenim: 1’36″4 në 100 metra, 3’7″4 në 200 metra, 9’ 5″ në 400 metra. Vetëm kaq ka mjaftuar për ta shndërruar në festë të madhe pasditen e largët durrsake të 23 gushtit 1931.

Ajo ishte një Shqipëri që kërkonte të kapërcente feudalizmin për të prekur shpejt oksidentalizmin, siç thuhej. Revista e njohur franceze “Revue International” i kushtonte ato ditë një shkrim të gjatë kësaj Shqipërie “të panjohur”, duke theksuar se: “Zhvillimi i Shqipnisë po bahet i vazhdueshëm dhe po ecën në kushte nga më të ndihmueshmit e ma trimnues.. Sot Shqipnia po ecën ndaj rrugën e formimit të nji ndërgjegjeje kombëtare, e sigurueme plotësisht me indipendencën e rifitueme të sajën…”.

Sporti dhe edukimi fizik bënin pjesë në këtë zhvillim të hapave të parë, madje edhe të vetë një ndërgjegjeje kombëtare, qoftë edhe përmes sportit. Papritmas, edhe sporti i notit po bëhej pjesë e një katërsheje që sapo hynte në traditën e njehsimit, vetvetësisë (identitetit) kombëtare: futbolli-atletika-çiklizmi-noti!

Krahas botimit të këtij shkrimi të “Revue International”, të bën përshtypje se diku aty pranë tij botohet lajmi që thotë se Shoqëria Kombëtare “Gruaja shqiptare” e kryesuar prej nënkryetares Emine Toptani dhe sekretares Parashqevi Qirjazi sapo qe kthyer prej “udhëtimit në të gjithë qytetet e Shqipërisë për të biseduar dhe propaganduar nxjerrjen nga errësira të gruas shqiptare”. Pak më tej njoftohet se në largësinë Nartë – Vlorë kishin guxuar të zhvillonin “një garë të madhe të automobilave”. Në Korçë kishin guxuar edhe ata në mënyrën e pasionin e tyre të zhvillonin një kampionat të papamë futbolli midis fshatrave të Korçës me sistemin shkuarje e ardhje: Drenova – Polena 3-0, Voskopoja – Dishnica 2-0, Boboshtica – Mborja 1- 1…

Po a e trajtojmë në të vërtetë ne sot edhe sportin si forcë të këtij njehsimi kombëtar?… Në librin e posaçëm “10 vjet Mbretni” (1928-1938) të shtatorit 1938, gjej këtë përcaktim emblematik për notin: “Noti ka marrë nji zhvillim të math në të gjithë botën. Notin shumë kompetenta e quejnë sportin ideal. Tur kuptue randësin e tij, Federata “Vllaznia Shqiptare” âsht mundue që t’a perhapë sa mâ tepër në vendin t’onë. Për një qëllim të tillë organizon çdo vjetë kampjonatin kombtar të notit që zhvillohet në Durrës. Në kët kampjonat marrin pjesë të gjitha qytetet shqiptare, ku ka mundësi të praktikohet sporti i notit. Ditët e kampjonatit të notit janë nji festë e madhe dhe fort e bukur për Durrësin. Shqiptarët e kanë shumë në qejf kët lloj sporti dhe e shprehin krejt qartazi enthuziamin e tyre për te…”.

1934: FUQIZIMI PËRMES KAMPIONATIT TË 4-T KOMBËTAR

Në gjithë këtë stil datuar 78 vjet më parë, në thelb gjen një ide që nuk të duket arkaike as sot: etjen për ta zhvilluar edhe në Shqipëri këtë sport të vjetër sa njerëzimi.

Mbretëria shqiptare, siç thamë, organizoi me një ndalesë të vetme (1935) 7 kampionate kombëtare të notit: 1931, 1932, 1933, 1934, 1936, 1937, 1938, të fituara të gjitha nga Teuta e Durrësit. Dhe del se noti i rri pranë sportit më popullor në Shqipëri, futbollit, duke qenë se të dy këta, futbolli dhe noti, janë dy sportet që kanë zhvilluar më shumë kampionate kombëtare të Paraluftës: nga 7 kampionate secili. Çka e vë këtë sport të një nobiliteti olimpik – e për të sot nuk shkruan e gati as nuk flet askush në Shqipëri – në dy sportet më themelues dhe më përfaqësues në historinë sportive kombëtare.

Nuk ka dyshim se mbas simbolikës të të parit, atij të vitit 1931, dy nga kampionatet më me përmbajtje prej këtyre të shtatëve janë ato të viteve 1934 dhe 1938. Më 1934 Shqipëria madje arrin deri aty sa të organizojë edhe kampionatin kombëtar të juniorëve, ndonëse nuk mund të thuhet se rritja e rezultateve përbën një hop. Vërtet që kemi të bëjmë me një rritje, por thjesht me një rritje graduale (shkallë-shkallë).

Kampionati i 4-t Kombëtar është zhvilluar më 26 gusht 1934 dhe ai shquhet për një pjesëmarrje më masive dhe një organizim të shkëlqyer për kohën në të gjitha kahet që ta marrësh. Bie fjala, çdo notar ka “një kë- sulë me numrin e shkruar”, çdo notar “duhet të jetë i federuar paraprakisht”, dhe “duhet të jetë nënshtetas shqiptar”. Duken si gjëra të vogla, mirëpo nuk mund të harrojmë se ishim në vitin 1934, jo 2009!

Kampionati ka një Juri të kryesuar prej kolonel Aqif Përmetit, shef i seksionit “Djelmënia Shqiptare” dhe ka si sekretarë Hysen Çela e Telemak Nushi. Ndërsa anëtarët e kësaj Jurie janë emra të tillë si Hajdar Jakupi, Eqrem Stërmasi, Ymer Sharra, Besim Qorri dhe Irfan Tërshana – pothuajse të gjithë pedagogë universitarë të edukimit fizik në Shqipëri. Ndër të parët në histori.

E diela e 26 gushtit 1934 është një ditë vërtet e rrallë. Në “Molon e Re” të Durrësit, siç njoftohet, janë të pranishëm “Princeshat Myzejen e Adile, princat, suita, anëtarë të kabinetit, trupi diplomatik”. Ekipet parakalojnë para tribunës së improvizuar ku ndodhet patronesha e sporteve, princesha Myzejen. Ekzekutohet Himni Kombëtar. Dhe mandej garat, që doemos janë gjithnjë nën sundimin e Teutës së Durrësit, ndonëse më në fund ka mbërritur dhe Shkodra. Por që nuk ia arrin të bëjë thuajse asgjë përballë forcës durrsake.

Kështu, Taq Dafa nuk ka rival në 100 e 1000 metrat. Po ta linin, do t’i kishte fituar të gjitha garat, por rregullorja e rreptë e pedagogëve të mësipërm tashmâ lejonte pjesëmarrje vetëm në dy gara për çdo notar, jo më tepër.

Në 100 metra, Dafa lë në vend të dytë e të tretë bashkëqytetarin e tij Tom Gjiri dhe Marjan Skanjetin e Shkodrës. Për autorin e këtyre radhëve, dhe besoj se jo vetëm për të, befasia përmblidhet në garën e 100 metrave. Këtu Taq Dafa i famshëm triumfon ndaj Nënkampionit të ri Lin Shestani të Shkodrës, duke lënë në vendin e tretë një djalë 18-vjeçar nga Berati me emrin e panjohur Jusuf Vrioni! Qofsha i gabuar, po kjo duhet të jetë ngjitja e vetme e derisotme e Beratit në podiumin “olimpik” shqiptar, nëse mund të krahasoja kësisoj në një Kampionat Kombëtar të Notit.

I ri, tepër i ri, as 18 vjeç, Vrioni i 85 vjetëve më parë, ai që do të bëhej përkthyesi i madh dhe për ne ndër përfaqësuesit më nobël të një aristokracie apo fisi të vjetër shqiptar, e kishte më- suar notin garues në pishinat e Parisit, ndonëse nuk mund të thuash se përballë tenisit dhe hokejit, ky polisportist shqiptar i stilit europianoperëndimor të kohës, e kishte parë- sor notin. Do t’i ndërpritej edhe ky pasion kur 12 vjet më vonë, mû në një ditë të madhe sportive të Tiranës, kur ndërsa po bëhej gati të shkonte në stadium për të ndjekur ndeshjen historike Shqipëria-Jugosllavia (1946), do t’i vinin prangat mû në krye të rrugës që të çonte te stadiumi kombëtar. Ishim ende larg për të mbërritur te këputja e ëndrrave të këtij notari “par excellence” të Kampionatit tonë datuar 1934, por Jusuf Vrioni i bën nder edhe historisë së sportit kombëtar…

Duke iu rikthyer ndërkaq garave, Kampionati gjithnjë ruan befasi. E, nëse në 200 metra përmes një dueli të ashpër me Hysen Minarollin e Pogradecit dhe Nikolla Jokanon e Durrësit të tij, fiton Tom Gjiri, ndoshta figura më historike e sportit të Durrësit të kohës së Mbretërisë, por edhe ndër vite të Mbasluftës, sidomos si futbollisti e trajner i madh jo vetëm për Durrësin, në 400 metrat stil i lirë, unë shtang përpara një emri që më tingëllon tejet popullor: Osman Rexha. A ishte ky berberi i famshëm i Mbasluftës, ai i cili kishte fituar të drejtën e palëvizshme të vëjë në bisht të lahutës me humorin e tij të pangjâshëm, jetën shoqërore të periudhës komuniste? Kisha një zgjidhje për ta vërtetuar.

Më pat mjaftuar një telefonatë mikut tim të paharrueshëm Nazmi Maxhuni në Durrës, futbollist i mirënjohur i viteve ’60, i cili me seriozitetin thuajse të një gazetari më pat konfirmuar gjithçka. Osman Rexha – emblemë e ironisë së hollë të “indiferencës” durrsake – është kështu Kampioni Kombëtar i Shqipërisë në 400 metrat e Kampionatit të 4-t të Notit, këtë të vitit 1934. Do të fitonte duke u bërë një përmirësim të dukshëm shifrave të mëparshme dhe përmes një epërsie të pamëdyshje ndaj Nikolla Jokanos po të Durrësit dhe të Hamdi Mujës të Shkodrës.

Kampionati i Notit 1934 kishte fituar vërtet gjeografinë e tij, por nuk kishte mundur të cenonte sadopak sundimin e fuqishëm të Teutës së Durrësit. Në “Molon e re” të Durrësit katër ekipet më të mira qenë dënuar të renditeshin të mposhtur prej durrsakëve kësisoj pa mëshirë: Durrësi 54 pikë, Shkodra 7, Pogradeci 5, Berati 2! Për Beratin ishin 2 pikët e Jusuf Vrionit…

Mbreti Zog – nxitës i madh i sportit të notit – në krah të Princeshës Myzejen, patroneshë e sportit, gjatë zhvillimit të Kampionatit të 7-të Kombëtar të Notit, Durrës, 31 gusht 1938.

 

 

 

1938: MBRETI ZOG NË KAMPIONATIN KOMBËTAR TË NOTIT

Kampionati i 7-të Kombëtar i Notit që i takon të ishte pjesë e 10-vjetorit të Mbretërisë, përcillet me festime të mëdha, ku për çudi sporti është ndër vendet e para. Ministri i Arsimit, Abdurrahman Dibra, përuron fillimin e punimeve të stadiumit kombëtar dhe një manifestim i padëgjuar sportiv me rininë shkollore i organizuar në nivelin më të lartë të kohës, mbulon Shallvaren. Në qendër të Tiranës, nga ballkoni i Bashkisë, merr hapësirë një miting madhështor, ku një prej fjalimeve më të rëndësishme është edhe ai i Anton Mazrekut, drejtor i gazetës “Sporti Shqiptar”.

Figura të tjera të shquara të kulturës e ndjekin mbas, duke i dhënë 10-vjetorit më tepër tone intelektuale të kremtimit se sa parada shtetërore të zyrtarizuara. Një ndeshje e posaçme futbolli thërret në fushë skuadrën e qytetit Kavalla të Greqisë, Iraklis, të cilën Lushta me shokë e shkatërrojnë krejtësisht në një 7-0 apoteoze. Kjo është ndeshja fatthënë që është zhvilluar më 1 shtator 1938 në Tiranë dhe e para e transmetuar drejtpërsëdrejti në Radio. Ngjet para përurimit të Radio Tiranës që do të bëhej mbas dy muajve: 28 nëntor 1938 prej vetë Mbretit Zog.

Dhe… Kampionati i 7-të Kombëtar i Notit në Durrës. Një Durrës që shndërrohet në epiqendër jo vetëm me notin. Lart në Vilë, Mbreti Zog organizon pritjen për 10-vjetorin. Thotë kronika e kohës: “Sallonet e mëdhaja, të ndriçueme për së tepërti, ishin të mbushuna me zonja elegante dhe të ftuem të shquem me veshje të rastit, uniforma diplomatike dhe dekorasione. Një ballo ceremoniale, një koncert prej artistëve ma të shquem shqiptarë”.

Dhe më tej në eufori të plotë, fjalë për fjalë të palëvizshme, të stilit të kohës: “Ka për të mbetë e paharruar dita e shënuar në vendin e nderit t’analeve t’ona sportive dita 31 gusht 1938. N.MN.T. ZOG I Mbreti i Shqiptarëve nderoj me prezencën e Tij Auguste Notin kombëtar dyke treguar një interes të gjallë tërë zhvillimit të VII Kampionat Kombëtar të Notit”.

Ndërkaq, para tribunës një togë marinarësh shqiptarë paraqet “nderim armë”, teksa barka përreth molos dhe “pishinës” natyrore valëvisin flamuj të shumtë kombëtarë para një publiku të jashtëzakonshëm përreth. Kronika na thotë se në orën 16:00 shfaqet në tribunë Mbreti nën thirrjet “Rroftë Mbreti”. Ai përshëndet dhe ulet në tribunë. Në të djathtë ka patroneshën e lartë të Sportit, N.S. Mbretërore, Princeshën Myzejen dhe në të majtë me radhë Princeshat Dane dhe Tere, NN.TT. Princi Salih, Princ Tati, kryeadjutanti Zef Serreqi, ministrat Abdurrahaman Dibra dhe Musa Juka. Mandej çasti i himnit kombëtar. Kolonel Aqif Përmeti, kryetar i “Djelmënia Shqiptare” zyrtarizon fillimin e Kampionatit të 7-të Kombëtar të Notit dhe afrohen pesë barka ku janë notarët pjesëmarrës duke pasur paraqitës të tyre Myfid Halimin – një figurë e shquar e organizimeve sportive të kohës, gjesti i të cilit “shoqërohet prej një “urra” që del nga gjokset e notarëve”.

Garat e Kampionatit 1938, që edhe kësaj here përmbajnë edhe ato që i përkasin Kampionatit të Juniorëve, në këtë rast pra përfaqësojnë një pjesëmarrje të përmasave që deri asokohe nuk ishte parë në Shqipëri për sportin e notit.

Pjesëmarrës janë gjithnjë pesë ekipet e njohura: Teuta e Durrësit, Ismail Qemali i Vlorës, Vllaznia e Shkodrës, Dragoj i Pogradecit dhe Sportklub Tirana. Por, me më shumë notarë se asnjëherë tjetër: rreth 60 notarë vetëm për Kampionatin e të rriturve. Numri i madh i notarëve i çon punët që, për herë të parë, të zhvillonin edhe ato që me emërtimin e sotëm i quajmë eliminatore.

Dhe si gjithnjë Durrësi sundues. Taq Dafa është përsëri protagonist. 1.12.4 sekonda në 100 metrat stil i lirë dhe rekord befasues për kohën, në një garë të rreptë të tij me Shaqir Kafexhiun po të Teutës së tij. Arrijnë të dy në një kohë, por vendi i parë i kampionit është falë mbërritjes “dinake” të Dafës! Mund të duket diçka arkaike episodi i 74 vjetëve më parë, që elektrizon spektatorët, sepse në jetën e tyre ata nuk kishin parë skena të tilla që i interpreton Taq Dafa, i cili nuk kënaqet me kaq. Një ditë më vonë ai kërkon t’u dhurojë sportdashësve të pamatë spektaklin e radhës. Ai kërkon ta thyejë përsëri rekordin kombëtar. Kështu bëhet dhe ky sportist i rrallë i periudhës së Paraluftës, hyn si i pari në historinë e sportit kombëtar që themelon “skemën” e garave që zhvillohen vetëm për thyerje rekordi, çka do të vazhdonte me vrull në Shqipërinë sportive të Mbasluftës.

Shtypi njofton se: “Më 1 shtator, ditën e tretë të garave Taq Dafa hudhet në ujë për rekord të njiqind metrave, dhe me të vërtetë, me kapacitetin e tij që nderon mbarë Sportin Shqiptar, muejti të shënojë kohën mâ të vogël 1.9.4 tue u deklarue kështu rekordmen i Shqipnis…”.

Nuk mbaron me kaq. Ndërsa notari Xhavit Hyseni kishte fituar 400 metra stil i lirë me 6’45″, gjithashtu rekord kombëtar, edhe ai si Taq Dafa kërkon rekordin tjetër më 1 shtator. E arrin duke “i zbardhë faqen Sportit t’onë me kohën e re 6’ 36″”, siç thotë kronika. Kur më parë, në 200 metra stil i lirë kampioni Shaqir Kafexhiu, në duel me Xhavid Hysenin gjithashtu thyen rekordin kombëtar me 2’ 54. Është rekord edhe stafeta 4×100 metra stil i lirë prej Teutës së Durrësit (5’3’.5): Shaqir Kafexhiu, Xhavid Hyseni, Ilia Belgradi, Taq Dafa përballë katërshes shkodrane Ndoc Shiroka, Mark Maka, Rexhep Bërdica, Lin Shestani dhe katërshes pogradecare Petraq Thanasi, Stefan Kovaci, Kol Koci, Naum Avrami.

Është një kampionat i rekordeve të cilësisë së lartë për kohën dhe gjithçka vendoset në këtë 30 gusht-1 shtator 1938. Ashtu si dhe për atletikën e lehtë do të fiksohen ata që Mbasluftës Partia do t’i quante “rekordet e Paraçlirimi të Atheut”. Në të vërtetë nuk do të thyheshin me aq lehtësi. Rezultatet pionieristike të Taq Dafës me shokë do të kishin guximin të rezistonin jo pak. Protagonisti legjendar për ne, Taq Dafa, është kampion kombëtar i Shqipërisë në 100 metra stil i lirë (me 1.09.9) edhe më 1945 e 1946, ndonëse pa e mbërritur rekordin historik të tij të vitit 1938! Në gara të ndryshme, ai është Kampion i Shqipërisë deri përtej vitit 1950! Mbi 20 vjet mbas titullit të tij të parë, atij të vitit 1931! Rast i vetëm në historinë e sportit shqiptar! Meriton një monument të vogël në qarqet sportive të Durrësit. Mjafton të kujtojmë se më 1955, rekordmeni i 100 metrave stil i lirë, i përkujtueshmi i madh Petrit Caslli, me shifrat 1.06.4 që i përkisnin fitimit të titullit të Mjeshtrit, nuk do të ishte fort larg rekordit të Paraluftës të Taq Dafës.

Për fat mësova se, në përkujtimin që bëri të premten që shkoi Federata e sotme Shqiptare e Notit – e për këtë duhet përgëzuar – ajo, në mos gaboj, e kishte nderuar me përkujtimin e saj kampionin dhe rekordmenin themelues Taq Dafa. E, mos t’i vijë keq ndërkaq: kushedi sa të tjerë janë harruar, sigurisht pa qëllim. Na duhet të presim librin e Xhoxhi Vasilit…

Emra të tjerë të shumtë mbanin ndërkohë peshën e rritjes së dukshme në atë fundvere 1938: Daut Rexha, Naxhi Stringa, Petraq Çomo, Petrit Kokoshi, Petraq Ekonomi, Hasan Farkata, Shan Shiroka, Kol Buro, Halit Laçi, Kamber Rapushi, Aleks Gusho, Zisi Leka… Të Durrësit, të Shkodrës, të Vlorës, të Pogradecit. Mbyllja regjistron fitoren dëfryese të Taq Dafës së pambërritshëm në kërcimet nga trampolina 8 metra: duke lënë mbrapa Ilia Beligradin dhe Jusuf Radën.

Mbas kësaj është dhe mbyllja Mbretërore e Kampionatit të 7-të Kombëtar të Notit. N.S. “Mbretntore Princesha Myzejen, patroneshë e Lartë e Sportit i dorëzon Kupën kryetarit të skuadrës triumfonjëse”, thekson shtypi dhe “Mbreti i Shqiptarëve i shtrëngon dorën në një enthusiaz- ëm dhe akllamime të papërshkrueshme”.

Shkruan Anton Mazreku: “Flladejt le t’i përkundin dhe le t’i përkdhelin kujtimet e mëdhaja që rranjosen në shpirtin e zemrën e të riut Shqiptar, i cili gjithmonë krenar dhe i bashkuem me vlleznit e tij të nji bloku granit do t’i dalë në krye fjalës së dhanë – nga perspektiva e ndërgjegjes – nën hijen e flamurit: për Mbret e Atdhe”.

Patetizmi i kohës. Gati një shekull më parë.

Merremi pak me sportin kombëtar sot, e kjo do të jetë një temë në vazhdimësi e jona këto kohë. I jemi nënshtruar propagandisht, nëse mund të përcaktonim kësisoj, sportit ndërkombëtar (më saktë futbollit ndërkombëtar), që po sundon tifozin e ri shqiptar – e edhe këtë e themi me bindje të plotë. Mirëpo, siç kemi përzgjedhur prej “Diturisë” së tij të famshme, ajo që Mit-hat Frashëri e ka thënë gati 90 vjet më parë, mbetet aktuale: “Do të na donte zëmra të rrëfehemi pakë më teprë të interesuarë dhe me merak për sendet që i përkasin Shqipërisë dhe Shqiptarëvet”.

Kësisoj, dështimin kërkojmë ta gjejmë diku tjetër: te harresa e madhe që deri më sot i është bërë notit në Shqipëri në rang shtetëror, kombëtar, të KOKSH, radhazi të Federatave Shqiptare të Notit në gjithë këto vite të fundit…

Dhe vetvetiu na tërheq historia themeluese e Notit në vitet ‘30 me Mbretin Zog në tribunën e improvizuar para “Pishinës” po aq të improvizuar. Ishin themelet. Për fat të keq, notit shqiptar ende i mungon ngrehina, ndërtesa, lartësia e Shekullit XXI. Më thoni: cili shtetar a qeveritar i lartë ishte në 85-vjetorin e Kampionatit të Kombëtar të Notit Shqiptar?… Jo të ishte për të fituar pikë publiciteti, por për t’u larguar prej këtij përkujtimi duke ia mbushur mendjen vetes se nuk bën asgjë për sportin e notit që në botë nënkupton kulturë, dije, zhvillim, civilizim, përparim, shëndet, sport…

BESNIK DIZDARI