Historia e Vllaznisë i ka bërë për vete të gjithë. Me sukseset, trofetë por edhe me lojtarët e talentuar që ka nxjerrë nga rradhët e saj. Njëri prej tyre padyshim që është edhe Luan Vukatana, i cili arriti të luante me sukses jo vetëm në rradhët e Vllaznisë por edhe të ekipit kombëtar.

Jo më kot, u pat zgjedhur edhe në “11-shen më të mirë të saj të 90 viteve”. Duke folur për këtë lojtar, mjeshtri Ramazan Rragami do të jepte këtë vlerësim për Vukatanën: “Nga grupi i të rinjve në fundin e viteve ’70 kur erdhën tek ekipi i parë, Luani dukej shumë i ri.

Megjithatë dukej qartë se ishte i talentuar, ka patur veti të mira teknike dhe fizike. Shpeshherë ka ditë të imitojë në kompleksitet Sabah Bizin.

Me të, mendoj se ishte një gjetje taman ajo shprehje që doli për Vllazninë se ajo nxjerr gjithnjë lojtarë të talentuar për vete dhe ekipin kombëtar”.

Interesant është fakti se sot të dy këto personazhe të këtij shkrimi nuk ndodhen në Shkodër, por janë bashkë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kuptohet që edhe atje nuk mund të qëndrojnë pa u takuar dhe për të kujtuar edhe njëherë ato vite të arta kur luanin dhe drejtonin Vllazninë.
© shkodrasport.com