Arvid Hoxha kishte kohë që e bluante në kokë largimin nga Shqipëria, por shumë pak gjëra shkuan sipas planit. Dëmtimi i rëndë në fytyrë ia prishi planin. Humbi vendin e titullarit dhe rrezikoi të mos luante më, rrjedhimisht as të mos dilte jashtë Shqipërisë. Por, e siguroi udhëtimin me një “kompromis” që thjesht ia shtyu kohën e arratisë nga Shqipëria në nëntor të vitit 1987.

Ai thotë për “Panorama Sport” se Vllaznisë i ra shorti në turin e parë kundër maltezëve të Sliema Uonderers. Nuk arriti të luante dot, sepse Hafizi dhe Rakiqi nuk e shihnin si titullar. Por, pas kualifikimit, skuadra u shortua me finlandezët e Rovaniemit. Para se të arrihej te ndeshja me Rovaniemin, pati incidente në Maltë, siç vetë Arvid Hoxha e shpjegon për gazetën…


Për çfarë incidenti e keni fjalën për ndeshjen e Vllaznisë në Maltë?

Në Maltë u arratis Ilir Bulka, përkthyesi i ekipit, dhe ai u arratis në Athinë. Bëhet fjalë për ndeshjen e turit të parë që Vllaznia luajti në transfertë kundër Sliema Uonderers dhe e fituam 4-0. Ngjarja bëri bujë në fakt, por ne e kishim mendjen te ndeshja e dytë.


Në turin e dytë ju ra shorti me finlandezët e Rovaniemit, apo jo?

Po, kur u kthye skuadra nga Malta dhe u hodh shorti për ndeshjen e turit të dytë, Vllaznisë i ra shorti të luante në Finlandë në Rovaniem. Astriti Hafizi tri ditë para se të bëhej udhëtimi, më thirri. Ishim duke bërë stërvitje në Fushën e Lëkurave dhe më thirri veçmas…


Çfarë ju tha Hafizi?

Më tha: “Hajde Arvid se dua të flas diçka privatisht me ty”. Hymë në dhomë dhe ai m’u drejtua: “Arvid, bjeri mbrapa vetes se nuk duan të të lënë të dalësh jashtë”. “Po ne kemi vendosur, – i thashë, – që do të dal unë”. “Diçka po luhet në Tiranë, – më tha, – merri njerëzit e tu, babën, Cufin, axhën, Qemalin, shko në Tiranë interesohu, shiko se si është kjo punë”. Shkuam në Tiranë dhe atje mësuam se ishte zhdukur pasaporta ime e udhëtimit. Çdo njeri që dilte jashtë, kishte pasaportat e udhëtimit dhe ato pasaportat e vogla për brenda Shqipërisë.

Si ishte zhdukur pasaporta?

Aaaaa, atë më thuaj ti mua… (qesh). As unë nuk e di. Pasaporta ime nuk ishte aty. Unë kisha bërë tri rrugë jashtë Shqipërisë në atë kohë, kur papritur më thanë që nuk e kisha më pasaportën.

Po si e zgjidhët? Çfarë bëtë më pas?

Atëherë biseduam me njerëzit e duhur që njihnim dhe kishin mundësi të bënin diçka. Shkuam dhe mbaruam punë te pasaportat. Pastaj filluan justifikimet e këtyre që e kishin zhdukur pasaportën duke thënë: “Si ka mundësi t’i ikë Arvidit pasaporta kështu, atë e ka pasur këtu Arvidi… Nuk është pasaporta me grupin e Vllaznisë, atëherë ne bëjmë pasaportën e re…”.


Për sa ditë u bë pasaporta e re?

Brenda ditës u bë pasaporta e re dhe ne më pas u kthyem në Shkodër. Ishim me Zyhdi Çobën, me prof. Esatin, me Astritin dhe të gjithë morën pasaportën. U ndërrua edhe lista dhe pas pak ditësh u rikthyem të gjithë në Tiranë, por bashkë me skuadrën. Në Shkodër, në fakt, e nisëm udhëtimin me 16 vetë. Por, nisën skarcimet që aty sepse nga autobusi në Shkodër zbritën Faslli Fakjen, ndërsa në Tiranë zbritën Rudi Vatën dhe përfunduam me 14 vetë në Finlandë.


Pse i zbritën ata nga autobusi, pse i lanë jashtë?

Sepse kishin dyshime se mund të arratiseshin edhe ata. Bëmë një takim në federatë. Kryetar i federatës në atë kohë ishte Mehdi Bushati.

Çfarë ju thanë në atë takim, mbani mend gjë?

Në takim na thanë ato që thuheshin atëherë: të nderojmë kombin, të nderojmë atdheun… Ato shabllonet e zakonshme që thuheshin para çdo ndeshjeje ndërkombëtare. Çdo gjë ishte që “do të nderojmë atdheun, do të nderojmë kombin, do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë”. Sporti dilte gjithmonë pjesë e fundit e shabllonit. Mehdiu m’u drejtua duke më thënë: “Do të na nderosh Arvid kur del jashtë…”. “Patjetër shoku Mehdi”, i thashë.


Gjatë kohës që ndodhnin këto gjëra, a vazhdonit të mendonit se duhet të arratiseshit?

Ishin plotësuar me kohë kushtet, vetëm se unë në asnjë rrugë nuk mund të lëvizja. Dëshira ishte për një jetë më të mirë, për një liri fjale, një liri veprimi, që deri në njëfarë mënyre besoj se e kemi sot.


Çfarë ndodhi pas mbledhjes në FSHF me Mehdi Bushatin?

Pas këtyre largimeve të Faslliut në Shkodër dhe më pas ngjarja me Rudi Vatën në Tiranë, përfunduam të shkonim një ekip i cunguar në Finlandë. Ishim si një ekip basketbolli, sepse mbetëm vetëm 14 vetë.

Vetëm 14 gjithsej?! A mund të nderohej atdheu duke shkuar me 14 vetë…?

(Qesh)… Po, po, 14 kemi përfunduar në Finlandë. Presioni ishte i jashtëzakonshëm deri kur dolëm në kufi për të bërë ato procedura që bëheshin për çdo ndeshje, kur udhëtonim jashtë.


Si shkuat në Finlandë?

Fillimisht bëmë fluturimin për në Budapest dhe nga aty më pas kemi fluturuar për në Helsinki. Nga Helsinki deri në Rovaniem, në mos gabohem, ishte 800 km. Kemi shkuar me autobus. Lodhje e madhe për një skuadër futbolli.

Si ishte qyteti?

Ishte një vend i ftohtë, shumë i ftohtë. Ndodhej në Polin e Veriut dhe na dhanë nga një certifikatë që kemi kaluar në Polin e Veriut. Mbaj mend që kur mbërritëm atje, na dhanë nga një dhuratë që ishte një thikë.

Dhuratë një thikë?

Për një ekip futbolli…!!! Po, po, thikë. Madje, është interesante, sepse pas gjithë peripecive të mia në jetë, unë atë thikë ende e kam me vete të varur në reliktet e mia në shtëpi.

Çfarë thike është ajo?

Një ndër thikat simbol të atij vendi, se aty ishte vendi që prodhoheshin thikat për gjueti. Janë disa thika të njohura, që shiten gjithandej. Edhe këtu në Amerikë shiten dhe janë shumë të shtrenjta. Shkruhet mbi to “Finland”… nuk e di mirë emrin, duhet ta shoh si është shkruar… Por, në anën tjetër të thikës ishte skalitur Vllaznia-Rovaniem. Si për çdo ndeshje, u akomoduam në hotel.

Si e kaluat natën?

Ishte një natë normale dhe si kureshtarë që ishim në atë moshë, donim të shihnim çfarë ndodh në botë. Dola me Agim Maliqatin, shëtitëm pak dhe më pas u kthyem në hotel. Të nesërmen zhvilluam ndeshjen. Qyteti ishte i vogël, diku te 60-70 mijë banorë, një qytet i vogël në veri të Finlandës, vend i veçantë. Asgjë më tepër. Mbaroi ndeshja dhe në kthim bëmë një ndalesë në Helsinki për të bërë një pazar. Kishim marrë ndonjë gjë kontrabandë me vete, se ajo dietë që na jepnin nuk vlente për asgjë… Unë akoma nuk e di sa ishte ajo, kaq e pakonsiderueshme ishte dieta që na jepte shteti.

Sa para kishit marrë ju?

Unë kisha marrë napolona dhe 200 dollarë me vete. Kaq kisha arritur t’i nxirrja nga Shqipëria.


Edhe çfarë bëtë me ato?

Shkuam në një supermarket ku çmimet për ne ishin të paprekshme, por blemë nja dy gjëra të thjeshta. Unë mora një pulovër për vete. Isha bashkë me Lulin (Lulzim Bërshenin) dhe ai kishte mundur të nxirrte 200 dollarë nga Shqipëria dhe më tha: “Po marr një palë xhinse se kam ngelur me tuta”. Dhe, këtu është ai incidenti i madh që u bë, ajo “hajnia” e madhe që flitet nga ana e Partisë dhe e shtetit. Por e drejta ka qenë kështu.

Mund të ndalemi pak këtu Arvid?

Për çfarë “hajnie” e keni fjalën dhe kundër kujt është kjo ironi? Shikoni, unë me Lulin (Bërshenin) kemi marrë këto dy gjëra dhe shkuam në kasë, ku paguhen paratë. Aty ishte një grua në moshë. Unë nxora 100 dollarë dhe ajo u bë keq. U përpoqëm të merreshim vesh, por nuk ajo nuk kuptonte asgjë. As ne, në fakt. Ajo gruaja fliste, fliste, fliste…

Por, gjuha finlandeze është e pakuptueshme edhe megjithëse unë i dija nja dy-tre gjuhë në atë kohë, prapë nuk u morëm vesh. Ajo italisht nuk kuptonte dhe u bë nevrike. Thirri një nga ata të sigurimit të marketeve. Aty erdhi një djalë që na pyeti për pasaportat, për ID. I them që ne nuk kemi ID, ne jemi futbollistë të Vllaznisë, kemi bërë ndeshjen në Rovaniem, por nuk merrnin vesh.

Ti fol, unë fol, ai fol, ti fol, asnjë gjë s’po merrej vesh më. Kjo është “loja”. Pas kësaj ky punonjësi i sigurisë na tha: “Do të vini me ne”. Vazhduam me ta dhe u ulëm poshtë në një dhomë, një dhomë e “sigurisë” dhe aty thirrën policinë. Erdhën dy policë finlandezë. U treguam çfarë kishim, por u thamë se nuk kishim asnjë dokument, sepse i kishim në hotel.

Na thanë: “Do të vini me ne, do të shkojmë në polici”. I them që ekipin e kemi këtu, por komunikimi ishte zero. Kur shkuam në polici, ata flisnin edhe gjuhë të tjera. Unë atë kohë italishten flisja më mirë. U sqaruan. E morën vesh se kush jemi, çfarë jemi dhe kontaktuan ekipin dhe erdhi Hafizi me Bahri Axhemin, ndjesë pastë, si dhe një punonjës i Sigurimit të Shtetit që nuk ia kujtoj emrin, i cili na shoqëronte. Aty u sqarua gjithçka dhe u mbyll kjo punë. Por, brenda kësaj periudhe, pak a shumë ka qenë një orë kohore, më shkuan shumë gjëra ndër mend. Kjo një orë kohë ishte vendimtare për mua.


Në ç’kuptim vendimtare? Vendimtare sepse ky u bë shkaku.

Që u mbush kupa pra, që nuk donit të ktheheshit më në Shqipëri? Po. U mbush kupa. Aty thashë: Unë nuk do të kthehem më për t’u bërë lojë e sistemit. Personi me të cilin isha bashkë, ishte Luli (Bërsheni). Dhe atij i thashë: “Luli dua të të them diçka që të mbetet vetëm mes nesh. Nëse realizohet ti je me mua, nëse nuk realizohet mos ia thuaj më njeriu në këtë tokë, se unë nuk kthehem më në Shqipëri”.


Çfarë ju tha Luli?

“Gjallë jo”. Luli ka ndenjur punë minutash duke u menduar, u kthye, më shtrëngoi dorën dhe më tha: “Arvid Hoxha, vetëm vdekja na ndan. Ne jemi bashkë deri në vdekje”. Itinerarin e rrugëtimit unë e dija që para se të niseshim nga Shqipëria. I mora vesh disa gjëra kur pata problemin e pasaportës që më ndodhi në Shqipëri. Aty unë arrita të kuptoja gjithë lëvizjen që do të bënte skuadra, pra gjithë rrugëtimin.

Edhe në kthim e dija se nga Finlanda do të shkonim në Hungari, sepse ishim me “blu vissa” dhe prej aty do të shkonim në Athinë. Në Greqi do të flinim një natë dhe do të bënim rrugëtimin për në Janinë e do të dilnim në Gjirokastër ku kishim ndeshjen e javës në kampionat. Do të vinte autobusi të na merrte në Athinë, madje mbaj mend edhe emrin e shoferit të autobusit, Caci ka qenë shofer i Kombëtares në atë kohë.

Çfarë bluanit në kokë?

Mendoja se arratisja në Hungari ishte e parealizueshme. Në Finlandë, një nga ata policët që ishte aty dhe që fliste shumë mirë italisht më kërkoi një opinion të thjeshtë, më pyeti si më dukej Finlanda. I thashë se kisha përshtypje të mira, një vend i bukur, i pastër, por nëse unë dua të vazhdoj karrierën time në Finlandë, a mund të realizohej?

Më pa dhe më tha: “As mos e mendo. Është e pamundur për punë dokumentesh”. Atëherë vazhdova në heshtje pa bërë asnjë tentativë arratisjeje në Finlandë dhe vazhdova udhëtimin me skuadrën në Hungari. Kemi shkuar në ambasadën shqiptare në Hungari kemi ndenjur aty. Por e kuptova se pas atij incidenti në supermarket tensioni në ekip u rrit.

Çfarë vutë re ju, në çfarë kuptimi u rrit?

Sikur diçka e keqe do të ndodhte… E keni parasysh kur ke atë ndjesinë se diçka do të ndodhë. Jo mes shokëve të mi, por diçka u prish aty. Por, se çfarë do të ndodhte, asnjeri nuk e dinte.


Ndërkohë, ju as nuk flisnit dot me njëri tjetrin për ta diskutuar atë temë, apo jo?

Absolutisht jo. Në kohën e Partisë ti nuk mund të flisje me asnjeri për idetë e tua kundër sistemit, se automatikisht përfundoje në burg. Prandaj, asnjë shok imi nuk dinte gjë se çfarë po bluaja në mendje. Por unë kam respekt të jashtëzakonshëm për gjithë ekipin e Vllaznisë, për të gjithë djemtë që kemi luajtur bashkë e kemi ndier atë erën e djersës së fëlliqur që kishim me ato tutat e Durrësit, me ato rrobat e qelbura që luanim e bënim stërvitje, nën zë të gjithë flisnim dhe ishim të pakënaqur për mënyrën e jetesës që kishim.


Kaq keq ishin kushtet?

Po, shumë keq, duke filluar nga kushtet higjienike, kushtet sportive, kushtet materiale, gjendja e fushave etj… Keqardhja e madhe është se ne në atë kohë kemi dhënë çdo gjë për të bërë sport, por nuk kemi pasur asgjë nga ato që këta djem gëzojnë sot. Nuk kemi pasur as minimumin e minimumit të kushteve në sport. Dhe, gjithsesi, ne prapë vazhdonim edhe ashtu bënim sport.

VIJON…

NGJARJA NË 1987 / Çfarë ndodhi pas ndeshjes Rovaniemi-Vllaznia 1-0?

Arratisja e dy futbollistëve të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni, në vjeshtën e vitit 1987, ishte një goditje e rëndë për sportin shqiptar dhe vetë sistemin komunist të kohës. Ngjarje e cila u pasua me një sistem zinxhir pasojash për familjarët e atyre që kishin tradhtuar atdheun dhe idealet e Partisë së Punës, si dhe pjesëtarët e tjerë të skuadrës që morën pjesë në transfertën që ekipi shkodran pati në Finlandë ndaj Rovaniemit, e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Kupave.

Problemet për delegacionin e Vllaznisë nisën që më 5 nëntor 1987 kur katër futbollistë u ndaluan në një dyqan të Helsinkit dhe u akuzuan për vjedhje. Ndërsa kulmi arriti në orët e para të mëngjesit të 7 nëntorit kur dy futbollistë të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni, vunë në zbatim planin e tyre për arratisjen nga hoteli gjatë qëndrimit në kryeqytetin grek.

Dy lojtarët, pas manovrave që bënë me ndërrimin e dhomave, pasi nuk ishin caktuar të qëndronin bashkë, arritën që në orët e para të mëngjesit të largoheshin nga grumbullimi dhe më pas të kërkonin strehim politik.

Pas pikasjes së dezertimit të dy lojtarëve, edhe pse u vu në lëvizje ambasada shqiptare në Athinë, nuk u bë e mundur që ata të gjendeshin nga policia greke.

Ngjarja ishte shumë e rëndë për kohën dhe pasojat diheshin. Sipas rrëfimit të Arvid Hoxhës për “Panorama Sport”, nuk munguan as masat ekstreme për farefisin, ndonëse protagonistët vinin nga familje të ngritura dhe me pozita partiake, por që gjithsesi pësuan ulje në detyra apo transferime në zona të thella.

03.11.1987
ROVANIEMI-VLLAZNIA 1-0
GOLI: Steven Polack 47’

ROVANIEMI: Matinlassi, Autti, Tolvanen, Polack, Ollila, Ilola, Kallio (Honkanen 28’), Tegelberg (P. Tauriainen 64’), V.Tauriainen, Heaton, Hannola.
Trajner: Graham Uilliams

VLLAZNIA: Agim Maliqati, Kujtim Shaba, Isak Pashaj, Fatbardh Jera, Hysen Dedja, Adrian Barbullushi, Luan Vukatana, Ferid Rragami, Viktor Briza, Arjan Laçja, Ilir Kepa.
Trajner: Astrit Hafizi

TIFOZË: 7.312
GJYQTAR: Bo Karlsson (Suedi)

Intervisten e plote mund ta ndiqni ne linkun e meposhtem:
http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-vetem-vdekja-na-ndan-arvid-hoxha-si-nisi-plani-i-arratise-me-bershenin-ne-athine-pjesa-e-dyte/