Dy barazimet ne ndeshjet e fundit ndaj Serbise dhe Letonise kane krijuar nje klime aspak pozitive rreth kombetares. Tashme thuajse i gjithe opinioni eshte i bindur se shanset e Shqiperise per t’u kualifikuar per ne Boteror jane thuajse zero. Ish- trajneri i kombetares Astrit Hafizi ne nje prononcim te dhene per mediat eshte shprehur shume kritikat per lojen e kuqezinjve.
“Mendoj se ajo ndaj Serbisë ishte një nga ndeshjet e dobëta që ne zhvillojmë zakonisht me kundërshtarë të tillë. Ata që thonë se ka qenë një nga ndeshjet më të mira të ekipit kombëtar, gabon rëndë, dhe rëndë shumë madje. Mbështetem tek ajo që ne bëmë për ta fituar ndeshjen, që krijuam pak raste, me goditjen e Mitajt apo penalltinë që morëm në pjesën e parë apo edhe një rast të Bajramit në pjesën të dytë që i pasoi portierit. Ku ishte pjesa tjetër? Askund! Nuk mund të fitohet kështu një ndeshje. Pastaj dëgjoj edhe Silvinjon që tha jam i zhgënjyer me rezultatin, por jo me paraqitjen.
Kjo është pastaj të mos nxjerrësh konkluzione të sakta. Njëkohësisht diçka e tillë u paraqit edhe në ndeshjen me Letoninë dhe për vetë faktin e rëndësisë së kundërshtarit, është e patolerueshme që një skuadër të renditur aq poshtë, me aq diferenca me ne, nuk arrijmë të bëjë absolutisht asgjë. E pranojmë që nuk kemi luajtur mirë pjesën e parë, pastaj u munduam në të dytën, duke dëgjuar justifikimet e Silvinjos. Kjo është e pafalshme.
Letonia? Mund të dominosh lojën me mbajtjen e topit, por kur nuk krijon rrezikshmëri, për mendimin tim, nuk quhet dominim. Dominim quhet kur krijon raste, godet portën vazhdimisht, ke raste të humbura. Ne nuk i shohim këto dhe unë kam kohë për këtë mënyrë loje që përdor Silvinjo.
E kam thënë: ose ky nuk njeh lojtarët që ka, sepse është e pafalshme që me këtë grup shumë të mirë lojtarësh të mos marrim maksimumin. Nuk mund të fitohet në këtë mënyrë. Nuk krijuam asgjë, vetëm Manaj goditi njëherë portën, Broja jo, Hoxha jo. Vetëm dy goditjet e Asllanit nga distanca. Këto janë disa gjëra që një trajner duhet të marrë përgjegjësi. Jo gjithmonë justifikime, të cilat janë për të vënë duart në kokë. Të gjithë gabojnë.
Por ai nuk mori masa për të freskuar skuadrën. Ai mund ta ndërronte 40 % të skuadrës nga ana fizike. Nuk e kuptoj lënien e Hysajt jashtë. Në sulm që na duheshin forca, mund të kishim aktivizuar lojtarë të freskët. Pse, ato janë zëvendësimet? Pse duhet të luante sërish Manaj? Aq më tepër, për t’i bërë karshillëk edhe opinionit duke e vënë kapiten skuadre. Për çfarë, se humbi penalltinë? Ku dëgjohet një sulmues përpara, çfarë force ka ai për t’u folur shokëve?
Unë, edhe pas Kampionatit Europian, me paraqitjet që ne bëmë, me lavdet që u bënë, nuk kam qenë dakord fare që të vazhdojë. Duhej ndërprerë aty, sepse nuk i dha asgjë ekipit kombëtar, përveç disa ndeshjeve spontane. Në “Nations League” dolëm të fundit, në Europian luajtëm vetëm me emrin e tyre, sepse nga ajo që paraqitën ata në fushë, ne kishim mundësi të bënim më shumë, sidomos me Spanjën. Luajmë në Angli dhe nuk është ajo skuadër e frikshme. Mezi fitoi në Andorra dhe u mposht nga Senegali 3-1. Ai e frenon skuadrën, mos avanco, mos bëj këtë dhe atë. Mos hamë 4 apo 5 gola, siç tha pas ndeshjes me Anglinë. Nuk mendoj se është vetëm faji i tij, por edhe i atyre që e mbajnë si trajner. Kur një federatë ndërhyn për të vendosur për fatet e një ekipi kombëtar, ku pëfaqësohet flamuri ynë, duhet të marrë parasysh çdo gjë. Nuk ka vend për të pasur këto denigrimet e lojës tonë, ndoshta duke u tallur me flamurin, me këto ndeshje në të cilat njëherë e fryjmë ekipin kombëtar dhe pastaj bëjmë zhgënjime. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këta trajnerë!